15/06/2024
22.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

5 propozime për datën e vitit të ri shkollor, dy prej tyre parashikojnë pushim pranveror

Një shtatori, sërish do të mbetet data e fillimit të vitit të ri shkollor 2023-2024 por me disa ndryshime të vogla. Alsat ka siguruar pesë propozimet që ka përpiluar dikasteri i Arsimit e që shpejti do të shqyrtohen në seancë qeveritare për tu vendosur për njërën prej tyre. Siç mëson Alsat:

-Propozimi i parë parashikon që Viti shkollor të filloj më 1 shtator ndërsa të përfundoj më 11 qershor 2024. Gjysmëvjetori i parë të përfundoj më 29 dhjetor ndërsa gjysmëvjetori I dytë të nis më 15 janar 2024. Nga data 27 prill deri më 6 maj 2024 nxënësit të jenë në pushime pranverore.

-Propozimi i dytë parashikon që mësimi të nis më 11 shtator. Gjysmëvjetori i parë të përmbyllet më 29 dhjetor ndërsa gjysmëvjetori i dytë të nis më 15 janar 2024. Viti mësimor të përfundoj më 13 qershor 2024.

-Propozimi i tretë thotë që Viti shkollor  të nis më 1 shtator. Gjysmëvjetori i parë të përfundoj më 29 dhjetor ndërsa gysmëvjetori i dytë të nis më 17 janar 2024. Viti mësimor të përfundoj më 10 qershor 2024.

-Propozimi i katërt parashikon që mësimi të nis më 4 shtator. Gjysmëvjetori i parë të përmbyllet më 29 dhjetor ndërsa gjysmëvjetori i dytë të nis më 17 janar. Viti mësimor të përmbyllet me 11 qershor 2024.

-Propozimi i pestë parashikon që mësimor të nis më 1 shtator. Gjysmëvjetori i parë të përmbyllet më 29 dhjetor ndërsa gjysmëvjetori i dytë të nis më 18 janar. Viti shkollor të shoqërohet me pushim pranveror nga 29 prill deri më 5 maj 2024. Viti shkollor të përmbyllet më 17 qershor 2024.

Unioni i Nxënësve të Shkollave të mesme mbështet ndryshimet për vitin e ri shkollor. Sipas kreut të ri të unionit, Berin Muhamed, shkollarët e mesëm i japin pëlqim propozimit që brenda tij përmban edhe pushimin pranveror.

“Vendosëm se propozimi më i mirë do të jetë ai në të cilin do të kemi edhe pushim pranveror. Duke u nisur se është standard i cili është edhe në të gjitha vendet, shtetet e Evropës perëndimore të cilat të gjithë kanë pushim pranveror, ajo është njëra prej arsyeve. Arsyeja e dytë është se gjatë asaj kohe të gjithë nxënësit pyetemi me nota, e kemi kohën e notimeve. Gjatë asaj kohe, ajo një javë e disa ditë na shërben shumë ne si nxënës për pushim dhe për ta kapur rendin e mësimit”, deklaroi Berin Muhamed, kryetar i UNSHM-së.

Sipas ministrisë së Arsimit, këto ndryshime bëhen me qëllim që të rritet produktiviteti te nxënësit dhe mësimdhënësit. Pavarësisht vendimit që do të merret, nga ministria e Arsimit thanë se është e patjetërsueshme realizimi i procesit mësimor minimum në 180 ditë pune, siç parashikon kalendari mësimor për shkollat fillore dhe të mesme. Në këtë rast përjashtohen maturantët të cilët sipas kalendarit mësimor duhet të realizojnë 166 ditë proces mësimor. /Alsat.mk

Të fundit