08/05/2024
20.2 C
Tetovo
Ballina Blog

KSHZ-ja raportoi që deri në ora 13:00 janë regjistruar 313 kundërshtime për parregullsi zgjedhore në RMV

Në Komisionin Shtetëror Zgjedhor janë regjistruar qindra parregullsi zgjedhore në procesin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare.

“Deri në këtë moment në KSHZ janë dorëzuar gjithsej 313 kundërshtime për mbrojtjen e të drejtës zgjedhore. Prej tyre, 105 kundërshtime janë miratuar dhe zgjedhësve u është mundësuar ta realizojnë të drejtën e tyre të votës”, raportoi KSHZ-ja.

Komisioni theksoi që 9 kundërshtime janë hedhur poshtë si të parregullta, ndërsa 40 janë refuzuar, derisa tjerat janë në përpunim.

“Aktiv është edhe numri i telefonit pa pagesë 0800 555 44, ku qytetarët e interesuar mund të bëjnë pyetje apo të denoncojnë parregullsitë në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve”, raportoi Komisioni.

Ndryshe, në zgjedhjet parlamentare, deri në orën 13:00 kanë votuar 312 070 votues, gjegjësisht 25.84 %. Për krahasim, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, deri në këtë orë kanë votuar 432.026 votues, gjegjësisht 23.81 %. Dallimi në krahasim me zgjedhjet e 2020 është 2.03% më shumë votues , transmeton Portalb.mk  .

Në Radushë i shpohen gomat automjetit të vëzhguesit

Një incident në ditën e zgjedhjeve ka ndodhur në fshatin Radushë të Shkupit. Veturës së një vëzhguesi të procesit zgjedhor i janë shpuar gomat, raporton Faktor, përcjell TV21.

Vëzhguesi ishte nga një parti politike dhe raportoi se dikush i kishte shpuar gomat. Anëtarët e partisë thanë se e njohin organizatorin e incidentit.

Vëzhguesit nuk lejohen të hyjnë në qendrat e votimit. Thonë se i kanë sharë dhe fyer. Ngjarja është raportuar në KSHZ dhe polici.

Samharadze: Po vëzhgojmë nëse votohet në pajtim me standardet e OSBE-së

Gjatë vëzhgimit do të tentojmë të regjistrojmë nëse votimi po zhvillohet në pajtim me standardet e OSBE-së. U dëshirojmë sukses votuesve në arritjet e tyre të ardhshme, deklaroi sot koordinatori i posaçëm i OSBE-së, Nikoloz Samharadze pasi me shefen e misionit të AP të OSBE-së, Karina Odebrik vizituan vendvotime në SHF “Kiro Gligorov” në lagjen Kapishtec në Shkup.

Ai potencoi se aktivitetet e tyre janë në kuadër të misionit të përbashkët të Asamblesë parlamentare të OSBE/ODIHR-së dhe Këshillit të Evropës.

“Këtu jemi në qendër të Shkupit, kryejmë vëzhgim të vendvotimit në një shkollë fillore. Po ashtu do të bëjmë vëzhgime në tërë shtetin, në rajonet rurale dhe urbane dhe të gjitha vërejtjet dhe vëzhgimet tona, do t’i themi nesër në konferencë për shtyp në ora tre”, paralajmëroi Samharadze.

Karina Odebrik, shefe e misionit të AP të OSBE-së, informoi se kanë mbi 300 vëzhgues, ndërsa nga Asamblea parlamentare 56 vëzhgues nga 25 vende.

“Ajo që është me rëndësi gjatë vëzhgimit, është, t’i mbledhim të gjitha vërejtjet dhe vëzhgimet dhe të gjithë i vendosim në një deklaratë të përbashkët”, sqaroi Odebrik./MIA

MPB: Merren masa për zbardhjen e rasteve në Shuto Orizare, Çair, Kumanovë

Ministria e Punëve të Brendshme deri më tani nuk ka regjistruar shqetësime më serioze të rendit dhe qetësisë publike gjatë votimit, i cili në përgjithësi ka ndodhur në mënyrë të qetë dhe pa probleme, informoi zëdhënësi i MPB-së, Toni Angellovski.

“Nga hapja e vendvotimeve deri në ora 11:00 janë regjistruar dy kallëzime për vendosjen e tendave të partive politike pranë një vendvotimi në Shuto Orizarë, si dhe për ngjitjen e afisheve dhe fletushkave të shpërndara në zonën e Çairit në Shkup.

Po merren masa për zbardhjen e rasteve. Raportime për agjitacion kemi edhe në Tetovë, Shkup, fshatin Banicë të Kumanovës, Strumicë dhe komunën e Bogovinës, por pas masave të marra nga zyrtarët policorë ato pretendime deri më tani nuk janë vërtetuar,” tha Angellovski.

Deri në ora 11:00 jehona e votuesve në zgjedhjet parlamentare është 13,69%, thonë nga KSHZ

Aleksandar Dashtevski nga KSHZ njoftoi se jehona e votuesve në zgjedhje parlamentare deri në ora 11:00 është 13,69%.

“Për zgjedhjet parlamentare, nga 1976 vendvotime, në këto vendvotime kanë votuar 140.990 qytetarë, 13,69% është dalja. Dalja më e madhe në zgjedhjet parlamentare është në Krivogashtan 28,38%, ndërsa dalja më e ulët për zgjedhjet parlamentare është në Vrapçishte, 5,2%”, tha Dashtevski.

Denoncohen tre persona në polici, dyshohen se janë paraqitur si anëtarë të rrejshëm të KSHZ-së

MPB njofton se një person ka paraqitur se persona të dyshuar kanë ardhur në shtëpinë e tij të cilët janë paraqitur si anëtarë të KSHZ-së.

“Më datë 07.05.2024 E.D. nga Krnjeva ka raportuar se tre persona nga KSHZ-ja kanë ardhur në shtëpi, me qëllim që gjyshi i tij të ushtrojë të drejtën e votës nga vendvotimi nr. 2828. E.D. ka dyshuar se nuk ishin personat e KSHZ-së.

Sepse ata nuk ishin njoftuar paraprakisht dhe duhej të ishin të pranishëm pesë persona”, thonë nga MPB.

SPB Shkup merr masa dhe aktivitete për pastrimin e rastit.

Haraçinë, forca të shtuara të policisë në krahasim me vendvotimet tjera

Në Haraçinë ka fluks të madh të banorëve të cilët kanë dalur për të votuar, por për atë se a po votojnë për zgjedhje presidenciale apo vetëm për parlamentare nuk deshën të prononcohen para kamerave.

“Siguruam disa informacione se 84 persona kanë dalur për të votuar edhe për zgjedhjet presidenciale ndërsa 180 janë edhe për ato parlamentare dhe presidenciale. Ajo çfarë bie në sy këtu në Haraçinë është një numër i madh i policisë në krahasim me vendet e tjera, ndërsa për çështjet teknike na thanë se gjithçka ka shkuar në rregull dhe nuk ka pasur probleme”, raporton gazetarja Fazile Halili nga TV21.

Mos vidhni vota: Politikanët prej nesër ua mbyllin telefonat, ju rrezikoni nga 5-6 vite burg!

Zgjedhjet na kanë dalë për hunde vitet e fundit. Të rregullta, të parakohshme, të zakonshme, të jashtëzakonshme, gati çdo vit kemi nga një palë zgjedhje. Herë fiton njëri, herë tjetri. “Herë kungulli, herë pacërka”, do të thosh humoristi ynë i njohur, Sevdai Radogoshi. Sa mbarojnë zgjedhjet, ata shikojnë vetëm interesin e tyre. Zhduken politikanët e këndshëm të fushatës parazgjedhore, që u rrjedhin fjalë të ëmbëla si mjalti deri në ditën e zgjedhjeve, por sapo përfundojnë zgjedhjet i lëshon toka. Bëhen ministra e deputetë, bëhen drejtorë e ambasadorë, kurse juve u harrojnë, madje as telefonin nuk ua hapin. Prandaj, është mirë ta lexoni deri në fund këtë tekst dhe ta kuptoni porosinë e tij. Mos të vijë nesër puna, mozot duke vuajtur dënim me burg për vjedhje votash, t’i thoni vetes: “Mirë shkruante Zhurnali, isha budalla që nuk e lexova deri në fund”!

Ju në burg, politikanët në poste!

Kështu ka ndodhur çdo herë, kështu do të ndodhë edhe këtë herë. Tashmë jemi mësuar me “stilet” e politikanëve. Prandaj është me rëndësi që ne si votues të shfrytëzojmë të drejtën e votës ashtu siç na ka hije, e të mos futemi në skenare të tjetër kujt.

Aq më pak duhet të bëheni i pjesë e vjedhjes së votave dhe manipulimeve tjera zgjedhore. Politikanët prej nesër ju harrojnë, shikojnë hesapin e tyre, kurse ju do të maltretoheni me vite nëpër gjykata dhenë fund ju pret dënim 5-6 vjet me burg. Pyetni ata që e kanë pësuar, nëse ndonjë politikan u ka dalur në ndihmë. Madje janë tallur me fatin e tyre.

Zgjedhjet janë kulmi i procesit demokratik dhe festë e shprehjes së vullnetit të lirë nga ana e qytetarëve. Zgjedhjet, në një vend si Maqedonia e Veriut, mund të jenë një hap përprara në rrugën drejt Bashkimit Evropian, nëse organizohen e zbatohen në përputhje me standardet evropiane. Por mund të kenë pasojë edhe kthim mbrapa, në rast se përcillen me parregullsi dhe incidente. Politikanët nuk humbin as në rastin e parë, e as në rastin e dytë. Ndoshta na rastin e dytë përfitojnë edhe më shumë, sepses a më larg të jemi prej BE-së, aq më i “turbullt uji”, e në turbullinë është më lehtë të vidhet e të bëhen keqpërdorime.

E nëse kemi një proces të rregullt e demokratik, që na ofron drejt Bruskselit, ky është një përfitim për të gjithë qytetarët. Në këtë mënyrë bëhen ndryshime pozitive në pajtim me standardet e BE-së, që na ofron drejt realizmit të ëndërrës për tu bë vend anëtar në këtë Union. Mos rrezikoni burg prej 5-6 viteve sado para të ju ofrojnë. Fundja, ndoshta është mirë edhe t’ua merni paratë në rast se vlerësoni se refuzimi juaj mund t’u krijojë problem në vendin e punës ose në karrierë, por votën mos ua jepni, sepse në këtë mënyrë u jepni shansë që edhe në zgjedhjet e ardhshme të ju bëjnë presion dhe të ju shantazhojnë. Janë përralla thëniet që “e dinë saktë se për kë keni votuar”, respektivisht se ata që ua keni marë paratë pasi skeni pasur mundësi tjetër, e dinë se për kë keni votuar. Askush nuk e din atë punë, kjo është vetëm formë e presionit psikik.

Prandaj edhe nëse ua mirni paratë, votoni në bazë të vullnetit tuaj të lirë, pa pasur fare dyshim se dikush do e din kë keni votuar. Po e përsërisim edhe një herë, ddoshta është mirë t’ua merni paratë, sepse nuk i kanë fituar me djersë, në rast se vlerësoni se refuzimi mund të ju shkakton telashe. I kanë fituar me manipulime e keqpërdorime dhe tani i japin për të blerë vota, me qëllim që të vazhdojnë edhe më tej me manipulime, e keqpërdorime. Prandaj dilni shfrytëzojeni në drejtën e votës në mënyrë të qytetëruar, ashtu siç na ka hije si komb evropian, pa tensione e pa keqpërdorime.

Mbi 30 të dënuar deri tani për shkelje të procesit zgjedhor

Shkelja e procesit zgjedhor, Sipas Kodit Penal në Maqedoninë e Veriut paraqet vepër të rëndë penale, që dënohet me burg. “Barrën” e kësaj vepre penale në lëkurën e tyre deri sot e kanë ndjerë mbi 30 qytetarë që kanë qenë të involvuar në malverzime zgjedhore dhe shumica prej tyre kanë vuajtur dënime me burg. Nuk bëhet fjalë për një process zgjedhor, por për disa procese zgjedhore, kur janë vërejtur parregullsi dhe shkelje të procesit, që më vonë kanë marë epilog gjyqësor. Kjo tregon se ka njerëz që nuk mbushen me mend deri sa nuk e pësojnë. Nuk marin mësim nga raste të mëhershme prejpersonave që janë dënuar e që kanë vuajtur burg, por sërish manipulohen.

Ruajuni që ju, ose të afërm tuaj të mos jenë në mesin e tyre. Shkeljet për të cilat janë dënuar, ajnë të natyrave të ndryshme. Mbushje kutish, thyerje kutish, tren bullgar, votim kolektiv, pengim i procesit zgjedhor, ndryshim procesverbalesh, etj… Shumica prej atyre që janë dënuar, më pas kanë treguar se si janë penduar, por edhe si janë injoruar nga politikanët që i kanë nxitur të skelin Ligjin zgjedhor, duke u garantuar se “do u qëndrojnë mbrapa”, por pas seancës së parë gjyqësore janë distancuar tërësisht prej tyre. Por është bë vonë, sepse dënimit nuk i kanë shpëtuar, kurse politikanët për të cilët kanë futur në thes, kanë vazhduar me pasurimin e tyre në bazë të posteve që kanë fituar pas zgjedhjeve. /Zhurnal

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, çka presin shqiptarët?

Disa qytetarë shqiptarë të Maqedonisë së Veriut i kanë ndarë pritshmëritë e tyre në lidhje me zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale që po mbahen sot në këtë shtet.

“Vetëm me punu për popullin, kurrgjë tjetër”, tha një banor i fshatit Forinë i pyetur se çfarë kërkesa ka nga të zgjedhurit eventualë.

“Ma lehtë ka qenë gjithmonë për mu se e kom ditë çka me votu”, ka shtuar ai.

Ndërkaq një qytetar tjetër tha se shpresat nuk humbin asnjëherë, dhe se pret të fitojë më i miri.

Qytetari i tretë i intervistuar nga Klani ka thënë që pret të ketë përmirësime në çështjet e infrastrukturës, dhe që të ndalet ikja e të rinjve nga vendi.

Nata e fundit e fushatës, partitë mbajtën tubimet përmbyllëse ja mesazhet e tyre

Më 18 prill në Maqedoninë e Veriut ka filluar fushata zgjedhore për zgjedhjet kuvendare, të cilat do të mbahen më 8 maj. Fushata zgjedhore përfundon sot, ndërsa nga mesnata nis edhe heshtja zgjedhore.

Ju sjellim disa nga aktivitetet e koalicioneve më të mëdha në ditën e fundit të fushatës.

LSDM dhe koalicioni “Për ardhmëri Evropiane” mbajti tubim në Strumicë. Kreu i kësaj partie. Dimitar Kovaçevski tha se të gjithë qytetarët që dalin për të votuar më 8 maj, do të duhet të kenë parasysh se vota për LSDM-në është votë për të nesërme dhe të ardhme më të mirë.

“Nëse ata vijnë në pushtet, mbani mend këto fjalë. Deri në vitin 2030 do t’i shihni, Malin e Zi dhe shtetet e tjera se si ulen në karriget e tyre në Bruksel, ndërsa e jona, përsëri me VMRO-në në pushtet, do të mbetet e zbrazët. Pastaj, do t’i fajësojnë qytetarët brenda, do t’i fajësojnë fqinjët jashtë dhe në fund do të jetë fajtore vetë BE-ja, siç ishte fajtore prej vitit 2006 deri në vitin 2017. Mi mbani mend fjalët, ka inçizim nga ky fjalim, do ta ridëgjojmë dhe rishikojmë shumë herë”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, LSDM.

Dragan Kovaçki nga VMRO-DPMNE u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që më 8 maj të votojnë për opsionin që siç tha ai, do ta kthejë shtetin në duart e qytetarëve.

“Për dy ditë prej sot, të mërkurën, votohet. Për dy ditë qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin mes Maqedonisë së poshtëruar, plaçkitur e shkatërruar dhe Maqedonisë dinjitoze, Maqedonisë që ndërtohet dhe ku ligjet vlejnë për të gjithë njësoj. Prandaj prej këtu, prej Karbincit patriotik, bëj thirrje për kohezion, unitet, për unitet maqedonas, për unitetit shoqëror, për unitetit nacional. Të jemi krenarë dhe me unitet, ta kthejmë Maqedoninë në duart e qytetarëve. Ju ftoj të gjithëve të dilni dhe të votoni për numrin 2″, theksoi Dragan Kovaçki.

Fronti Evropian zhvilloi takim me përfaqësuesit e Odës ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore ku është folur lidhur me implementimin e programit të Odës në programin e frontit dhe qeverisë.

“Konstatuam bashkërisht që në aspekt të programit ekonomik shumë gjëra na bashkojnë me odën ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore dhe natyrisht që ngelet që bashkërisht t’i implementojmë këto politika në të mirë të të mirës së përgjithshme, në të mirë të zhvillimit të vendit, në të mirë të hapjes dhe vazhdimit të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian dhe në të mirë të qytetarëve të këtij vendi”, tha Ziadin Sela.

Ndërsa Koalicioni VLEN sonte ka mbajtur tubimin përmbyllës në Tetovë. Prej atje, liderët e këtij koalicioni kërkuan mbështetjen e qytetarëve më 8 maj.

“E di që ju kemi lodhur edhe juve, pasi me leje e pa leje kemi trokitur në çdo derë, por mikpritja e juve ka qenë e jashtëzakonshme. Me thënë të vërtetën na keni shtuar përgjegjësinë edhe më shumë. Me besë premtoj se unë dhe ekipi i VLEN-it, kur ta bëjmë qeverinë tash së shpejti pas 2-3 ditëve, do të vrapojmë edhe më fuqishëm sesa në fushatë. Nuk do të rahatohemi në kolltuqe. Kjo fushatë ishte një nevojë e paharrueshme”, u shpreh Arben Taravari nga Koalicioni VLEN./Telegrafi/