Sot informova përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar mbi përpjekjet e Qeverisë për të paraqitur në mënyrë të shtrembëruar natyrën e protestave studentore, duke i etiketuar ato si të motivuara partiakisht dhe duke krijuar një perceptim të pasaktë për realitetin në vend.
Në këtë mënyrë kanë reaguar nga BDI-ja përmes ish-Ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani.
Përmes një postimi në Facebook, Osmani potencon se këto përpjekje, sic thotë, për të orientuar gabimisht partnerët ndërkombëtarë nuk reflektojnë shqetësimet reale të studentëve, të cilat lidhen drejtpërdrejt me zbatimin e të drejtave ekzistuese.
“Në këtë kontekst, sqarova edhe interpretimet e pasakta mbi opinionin e Komisionit të Venecias. Opinioni i marsit 2025 nuk trajton kufizimin e të drejtave gjuhësore dhe nuk i referohet legjislacionit tonë, por fokusohet në aspektet praktike të zbatimit, si kostoja dhe mbështetja logjistike, duke theksuar se këto janë standarde minimale që duhet të plotlsohen” – shkruan Osmani në Facebook.
Në një moment kur kërkohet zbatim i plotë i të drejtave, është thelbësore që komunikimi me komunitetin ndërkombëtar të bazohet në fakte dhe në paraqitje të drejtë të realitetit, përfundon prononcimi I Osmanit.







