Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, i është drejtuar sesionit të 114-të të Konferencës Ndërkombëtare të Punës që mbahet në Gjenevë, ku ka potencuar përkushtimin e Qeverisë drejt reformave në tregun e punës, modernizimin e legjislacionit të tregut të punës dhe përforcimin e dialogut social.
Reforma në legjislacionin e punës dhe harmonizimi i sistemit arsimor me tregun digjital janë çështjet kryesore të prezantuara nga ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, në Konferencën Ndërkombëtare të Punës që po mbahet në Gjenevë.
Gjatë prezantimit të qëndrimeve të qeverisë, ministri Durmishi vuri theksin te roli i Këshillit Ekonomiko-Social, si organ tripartit ku kërkohet konsensus për marrëveshjet kolektive në sektorin publik.
Sipas paralajmërimeve, prioritetet e ardhshme të dikasterit të ekonomisë dhe punës do të lidhen me zbatimin e masave aktive për punësimin e të rinjve, si dhe me përforcimin e mbrojtjes ligjore të të drejtave të punëtorëve.
BESAR DURMISHI – Ministër i Ekonomisë
“Atëherë, sot në Gjenevë, në Organizatën Ndërkombëtare të Punës, si të gjithë ministrat e tjerë, po ashtu edhe unë iu drejtova gjithë të pranishmëve ku tregova rezultatet të cilat i kemi arritur ne si Maqedoni e Veriut. Më konkretisht, kemi arritur të nënshkruajmë marrëveshje kolektive për të gjithë të punësuarit në sektorin publik, ku për tre vite me radhë do të kenë rritje të pagës deri në vitin 2028.
Po ashtu, tregova që Maqedonia e Veriut është i vetmi vend ku ka arritur që të ratifikojë të gjitha konventat me Organizatën Ndërkombëtare të Punës për lirinë e sindikalistëve, gjë që e kemi arritur me debat, gjë që e kemi arritur me dialog transparent dhe kemi dëgjuar të gjitha palët, dhe vendimet i kemi sjellë me konsensus duke i dëgjuar sindikalistët, punëdhënësit, po ashtu edhe qeverinë.
Po ashtu, potencova që kemi program që do të nënshkruajmë me Organizatën Ndërkombëtare të Punës për punë të dinjitetshme, ku do të zgjasë prej vitit 2025 deri në vitin 2030, për t’i përgatitur të gjithë të rinjtë e rinj dhe të gjithë qytetarët që duan të punësohen, për t’iu bërë ballë sfidave që i kanë nga tregu i punës dhe të jenë më konkurrues. Më konkretisht, zhvillimi që ndodh në inteligjencën artificiale dhe që ndodh në tranzicionin në ekonominë e gjelbërt.”
Kreu i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë, Sllobodan Trendafilov tha se takimet e këtilla janë të rëndësishme për ta.
Sipas tij, kjo është mënyra se si duhet të dialogohet.
SLOBODAN TRENDAFILOV -Kryetar i LSM
“Partneriteti trepalësh social, dialogu social midis qeverisë, punëdhënësve dhe sindikatave është jashtëzakonisht i rëndësishëm për avancimin e të drejtave të punëtorëve, për kushte dinjitoze pune dhe për të mundësuar një pagë dinjitoze.
Takimi më i lartë që mund të mbahet në botë, po mbahet këtu në Gjenevë. Konferenca Ndërkombëtare e Punës është diçka ku mblidhen qeveritë, punëdhënësit dhe sindikatat nga e gjithë bota për të diskutuar për çështje shumë të rëndësishme për punëtorët, si për punëdhënësit, ashtu edhe për qeverinë.
Kjo është mënyra se si duhet të praktikohet dialogu social edhe në nivel vendor, përkatësisht në Maqedoni – përmes dialogut social trepalësh në Këshillin Ekonomiko-Social, që të tejkalohen të gjitha problemet.”
Maqedonia e Veriut po ndërton një model solid dhe evropian të dialogut social.
Sinkronizimi i hapave mes qeverisë, sindikatave dhe punëdhënësve jo vetëm që garanton paga më të larta dhe stabilitet për punëtorët, por përmes programeve të reja digjitale po krijon një treg pune modern, të sigurt dhe mjaft tërheqës për të mbajtur të rinjtë në vend./Tv Koha/







