Të tjera lajme

ANTIKORRUPSIONI HAP LËNDË PËR SKANDALET NË ISHP

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka hapur lëndë për punën e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), pasi raporti i revizionit për vitin 2024 zbuloi një sërë parregullsish serioze në menaxhimin financiar dhe organizativ të institucionit.

Nga Komisioni Antikorrupsion bëjnë të ditur se procedura është hapur me iniciativë të tyre dhe se objekt i shqyrtimit do të jenë dyshimet për korrupsion, keqpërdorim të pozitës zyrtare, konflikt interesi dhe veprime të tjera të paligjshme.

Vendimi për hapjen e lëndës është marrë në kolegjiumin e sotëm të Komisionit, ndërsa është paralajmëruar grumbullimi i dokumentacionit dhe informacioneve nga disa institucione për të përcaktuar plotësisht gjendjen faktike.

Drejtoresha aktuale e ISHP-së, Maria Andonovska, së fundmi prezantoi publikisht gjetjet që kishte hasur pas marrjes së detyrës. Sipas saj, janë zbuluar shumë raste kontestuese, përfshirë mungesën e reagentëve dhe shpenzimin e tyre të paevidentuar, persona që merrnin paga pa u paraqitur në punë, evidencë të rreme të prezencës, punësime pa provim administrativ të kaluar, avancime të parregullta dhe pagesa shtesash në paga pa bazë të duhur ligjore.

Veçanërisht shqetësuese janë pretendimet se teknikët farmaceutikë kanë kryer detyra të infermierëve dhe laborantëve, si dhe lidhja e kontratave në vepër me persona që tashmë ishin të punësuar rregullisht në institucion.

Andonovska zbuloi gjithashtu se disa të punësuarve u ishin paguar kompensime shtesë mujore prej 44.000 deri në 88.000 denarë për aktivitete të ndryshme administrative dhe teknike.

Vëmendje të veçantë në opinion tërhoqi informacioni për një kabllo interneti me gjatësi prej 15 kilometrash, e blerë për rreth 15.000 euro, për të cilën, sipas drejtoreshës, nuk ka të dhëna se ku ndodhet dhe nëse është përdorur ndonjëherë.

Gjithashtu, për shënimin e 100-vjetorit të Institutit janë shpenzuar rreth 50.000 euro për një aktivitet që ka zgjatur vetëm një orë.

Të fundit