Me ceremoninë përmbyllëse të mbajtur në Sheshin Skënderbeu, sot u mbyll me sukses edicioni i parë i Panairit të Librit Shqip – Shkupi 2026, një ngjarje që për katër ditë me radhë e shndërroi Shkupin në qendër të librit, kulturës dhe gjuhës shqipe.
Panairi mblodhi dhjetëra shtëpi botuese, autorë, studiues dhe dashamirë të librit nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria, duke sjellë mijëra tituj librash, promovime, diskutime letrare dhe aktivitete kulturore që pasuruan jetën kulturore të qytetit.
Akademiku Ali Aliu, Panairin e Librit Shqip – Shkupi 2026, e cilësoi si një festë të gjuhës dhe librit shqip.
ALI ALIU – Akademik
Panairi i Librit Shqip – Shkupi 2026 u organizua në kuadër të manifestimit “Vera Kulturore e Çairit 2026”, duke shënuar një hap të rëndësishëm në promovimin e kulturës së leximit, librit shqip dhe krijimin e hapësirave të reja për dijen dhe kulturën./Tv Koha/







