Fakulteti i Shkencave Islame në Shkup i akordoi titullin e lartë akademik “Doctor Honoris Causa” Kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Shaqir ef. Fetai, në shenjë vlerësimi për kontributin e tij të veçantë në fushën e fesë, arsimit, dijes, zhvillimit institucional dhe shërbimit ndaj komunitetit.Ceremonia solemne e ndarjes së këtij titulli prestigjioz u zhvillua në ambientet e Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup.
Në një ceremoni solemne të mbajtur në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup, Reisul Ulema i BFI-së në RMV, Hafiz Shaqir Fetai , u nderua me titullin e lartë akademik “Doctor Honoris Causa”.
Ky titull iu akordua si shenjë mirënjohjeje dhe vlerësimi për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e arsimit islam, promovimin e vlerave fetare e shoqërore, si dhe për angazhimin e tij të vazhdueshëm në forcimin e dialogut, edukimit dhe jetës institucionale.
Ceremonia u zhvillua në prani të personaliteteve nga jeta fetare, akademike, institucionale dhe publike, të cilët vlerësuan lart veprimtarinë dhe kontributin shumëvjeçar të Reisul Ulemase.
Të pranishmit i përshëndeti edhe Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Muftiu Naim ef. Tërnava. Ai vlerësoi kontributin e Reisul Ulemasë në fushën e fesë, arsimit dhe zhvillimit institucional, duke theksuar rëndësinë e dijes, edukimit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve fetare në rajon.
Më pas, ish-dekani i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, Prof. Dr. Fuhrudin Ebibi, lexoi vendimin e Komisionit Akademik të Fakultetit për ndarjen e titullit “Doctor Honoris Causa” për Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai.
Pas leximit të vendimit, Dekani i Fakultetit të Shkencave Islame në Shkup, Prof. Dr. Abdulxhemil Nesimi, i dorëzoi Reisul Ulemasë diplomën e titullit të lartë akademik “Doctor Honoris Causa”.
Duke shprehur mirënjohjen e tij për këtë vlerësim të lartë akademik, kreu i BFI-së, Shaqir ef. Fetai theksoi se ky titull nuk duhet të shihet si privilegj personal, por si një amanet dhe përgjegjësi e re për të vazhduar me përkushtim shërbimin ndaj fesë, dijes dhe shoqërisë.
SHAQIR FETAI – Kryetar i BFI të RMV
Ndarja e titullit “Doctor Honoris Causa” përbën një nga vlerësimet më të larta akademike dhe njëkohësisht dëshmon respektin dhe mirënjohjen e komunitetit akademik për veprën dhe angazhimin e H. Hafiz Shaqir ef. Fetait në shërbim të dijes, fesë dhe shoqërisë.







