Zvicra, Portugalia dhe Spanja janë tre vendet e radhës që kanë siguruar kualifikim në fazën e 1/8 së finales të Botërorit 2026. Sonte dhe në orët e vona të natës zhvillohen tre takimet e fundit të fazës së parë të eliminimit direkt. Në 1/8 e finales kualifikim kanë siguruar 5 vende Evropiane.
Spanja me fitoren kundër Austrisë vazhdon të konfirmojë statusin e një prej skuadrave favorite në Botërorin 2026. Iberikët në mënyrë rutinore mposhtën me rezultatin e pastër 3:0 Austrinë duke siguruar kualifikimin për në fazën tjetër të turneut. Dy gola i shënoi Ojarzabal dhe një tjetër Porro. Kështu Spanja në 1/8 e finales do të përballet me Portugalinë që konsiderohet njëra nga ndeshjet më interesante në këtë fazë.
Një ndeshje spektakolare zhvilluan Portugalia dhe Kroacia.
Ndeshja do të mbahet mend si një nga pjesët e dyta më kaotike në historinë e Botërorëve që solli një sërë situatash të pabesueshme – 3 gola të pranuara, katër të anuluara, penalti, shtylla dhe transversale dhe dramë të VAR-it në sekondat e fundit.
Me golin e shënuar në minutën e 68-të, Ronaldo është bërë zyrtarisht lojtari më i vjetër që ka zbritur në fushë në një ndeshje me eliminim direkt në historinë e Kupës së Botës, me 41 vjeç e 147 ditë.
Pas fishkëllimës së fundit të referit pasoi momenti emocional midis dy legjendave, Ronaldos dhe Modriqit, duke treguar respektin e ndërsjellë pas betejës së madhe në terren.
Skuadra e pestë evropiane që siguroi kualifikim në 1/8 e finales është Zvicra e cila mundi Algjerinë 2-0. Autor të golave për Zvicrën ishin Embolo dhe Ndoye.
Në këtë ndeshje kapiteni i skuadrës helvetike, Granit Xhaka, zhvilloi ndeshjen e tij të 150 për Zvicrën.
Kujtojmë se deri më sot në Kampionatin Botëror në 85 ndeshjet e zhvilluara janë regjistruar 246 gola kurse 12 futbollistë janë ndëshkuar me kartonë të kuq.
Faza e 1/16 të finales përfundon sonte dhe në orët e vona të natës me ndeshjet Australia – Egjipti, Argjentina – Kepi i Gjelbër dhe Kolumbia – Gana.
Shaban Sinani – TV Koha
![]()







