Të tjera lajme

PASDITE DHE GJATË MBRËMJES NIS MOTI I PAQËNDRUESHËM!

Për shkak të depërtimit të një fronti të ftohtë atmosferik nga veriu, gjatë orëve të vona të pasdites dhe mbrëmjes së sotme, si dhe gjatë natës drejt së mërkurës dhe të mërkurën, më 22 korrik, në orët e mëngjesit dhe paradites së hershme, në shumë zona të vendit do të zhvillohen re konvektive me bubullima dhe do të formohen masa ajrore të lagështa dhe të paqëndrueshme.

Sipas MeteoAlarm, në këtë periudhë, moti në vend do të jetë shumë i paqëndrueshëm, me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima dhe erë të përforcuar. Proceset atmosferike në shumicën e rajoneve do të jenë dukshëm më intensive, me stuhi të shoqëruara me reshje të dendura shiu, erë të fortë me shpejtësi prej 50 deri mbi 60 km/orë, shkarkime të fuqishme dhe të shpeshta elektrike, si dhe breshër.

Për këtë arsye, qytetarëve u bëhet apel të tregojnë kujdes maksimal, veçanërisht gjatë paraqitjes së shkarkimeve të forta elektrike dhe erës së fuqishme.

Nga mbrëmja e sotme dhe gjatë natës drejt së mërkurës do të nis rënia e temperaturave, e cila fillimisht do të ndihet më shumë në pjesët veriore të vendit.

Ndërkohë, një stuhi e fuqishme me reshje të dendura dhe erë të fortë goditi mbrëmjen e kaluar disa komuna të Maqedonisë, duke shkaktuar dëme materiale dhe probleme në komunikacion. Më të goditura ishin Strumica, Radovishi, Dellçeva, Dojrani dhe Kumanova, ku u rrëzuan pemë, shtylla elektrike dhe u dëmtuan linjat e energjisë elektrike. Në disa vende u dëmtuan edhe automjete.Tv Koha/

Të fundit