Shkëndija sonte në Lubjanë kundër NK Bravo zhvillon ndeshjen e parë të raundit të dytë kualifikues në UEFA Konferencë Ligë.
Ekipi mbrëmë ka mbajtur seancën zyrtare stërvitore, ndërsa në press-konferencën zyrtare trajneri Pollozhani dhe futbollisti Endrit Krasniqi u shfaqën optimist për epilog pozitiv në këtë ndeshje.
“Patjetër që na pret një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme, sepse unë e kam potencuar edhe tek konferencat e tjera që Kupat e Europës kanë një specifikë që sa më shumë raunde të kalosh, vështirësitë aq më shumë shtohen. Çfarë do të thotë, duhet të jemi të gatshëm 100% nga i pari deri tek i fundit për një performancë ose për një pjesë të parë 90 minutëshe që na pret këtu në Slloveni. Sepse është me patjetër që të kemi një performancë të mirë si nga aspekti teknik ashtu edhe nga aspekti taktik, pasi na duhet pastaj për vazhdimësinë, sepse janë ndeshje të forta. Patjetër që duhet një qasje serioze. Mendoj që nga i pari deri tek i fundit duhet të japim maksimumin, sepse ndeshjet e tilla janë specifike, duke marrë parasysh edhe vështirësinë që ta jep kundërshtari.” deklaroi trajneri Pollozhani
“Mendoj që në Europë nuk besoj që ka ekip të dobët dhe që luan në këtë nivel, kështu që ekipi ka punuar shumë mirë dhe besoj që është e gatshme. Shpresojmë që të kemi fatin dhe të arrijmë atë që dëshirojmë, kalimin tutje.” tha futbollisti Krasniqi
Përballja e parë e raundit të dytë eliminator në UEFA Konferencë Liga ndërmjet Bravos dhe Shkëndijës luhet sonte në Lubjanë, me fillim në orën 20:45, kurse drejtësinë do ta ndajnë treshja e referëve nga Finlanda.








