Kryediplomati në detyrë i Kosovës, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se “mbetet të shihet” se çfarë zhvillimesh të brendshme do të ketë në Lidhjen Demokratike të Kosovës.
Ai tha se beson se ata “dinë t’i rregullojnë punët e veta”.
“Tash çka mbetet të shihet janë zhvillimet e brendshme në LDK. Natyrisht LDK e ka krejt autonominë e vet, pavarësinë e vet për të vendosur për gjërat e saj të brendshme. Ne nuk jemi këtu as për t’i komentuar ato, as për të këshilluar gjë. Sepse LDK është parti që ekziston moti në Kosovë dhe besoj që ata dinë t’i rregullojnë punët e veta”, tha Konjufca.
Ai tha se takimi i kryeministrit në detyrë, kryetarit të LVV-së, Glauk Konjufca me kryetarin e LDK-së, Lumir abdixhiku dhe ish-presidenten Vjosa Osmani i ka bërë ata “më optimistë”.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i ka pezulluar bisedimet me LVV-në për formimin e institucioneve të reja, pasi në selinë e partisë u dorëzuan rreth 150 nënshkrime të delegatëve të kërkojnë largimin e tij nga drejtimi i partisë.
Së shpejti pritet të mbahet Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së ku do të testohet besimi brendapartiak ndaj Abdixhikut, i cili ka alarmuar se ky proces mund ta dëmtojë partinë “pariparueshëm nga brenda dhe ta lë Kosovën pa institucione dhe potencialisht përballë zgjedhjeve të reja në vjeshtë”.








