Të tjera lajme

Kërkohen forma për të financuar ujëmatësit digjital

Komuna e Tetovës do të organizojë debat publik në lidhje me “Studimin e Fizibilitetit për Transformimin Digjital të Shërbimeve të Ujëmatësve në Komunën e Tetovës.” Kjo për shkak se humbjet e ujit janë të mëdha brenda në qytet, ndërsa faturimi bëhet në mënyrë paushalle. Me vendosjen e ujëmatësve digjital pritet që qytetarët të paguajnë aq sa harxhojnë ujë. Mirëpo, vendosja e këtyre ujëmatësve kushton shumë, prandaj Komuna e Tetovës është në kërkim të modaliteteve për të bërë financimin e tyre.

“Vendosja e ujëmatësve do të jetë një bazë për faturim të drejtë ndaj harxhimit të ujit. Për momentin e dini se uji faturohet në mënyrë paushalle. Investimi për vendosjen e tyre është një kosto e madhe që kushton rreth 6 milion euro. Ne do të mundohemi që të gjejmë forma që do ta ndihmojnë këtë proces. Do të ketë edhe debate publike për këtë çështje, me qëllim që në fund të vendosen ujëmatës digjital që do të masin harxhimin e ujit nga distanca në mënyrë moderne”, deklaroi Naim Ismaili, kryetar i këshillit të komunës së Tetovës.

Në ndërkohë, për të arritur deri tek ky shërbim, Komuna e Tetovës nuk e përjashton mundësinë për fillimin e procedurës për dhënien e kontratës për partneritet publiko-privat për transformimin digjital të shërbimeve të ujëmatësve në Komunën e Tetovës. Kreu i këshillit Naim Ismaili tha se kjo nuk është përfundimtare.

“ Kjo është një nga variantet, nuk është definitive.  Nëse arrihet të gjendet një partner i cili do ta financojë në mënyrë më të shpejtë atëherë edhe mund të mendohet në drejtim të tillë. Por, për momentin Ndërmarrja Publike “Sharri, është ajo e cila mund të aplikojë në fonde për digjitalizimin e ujëmatësve” tha Ismaili.

Vet miratimi i studimit –fizibilit, sipas kryetarit të këshillit të komunës së Tetovës do t`I hap rrugë Ndërmarrjes Publike Sharri përmes pëlqimit nga Komisionit Rregullator për energjetikë  që të ketë qasje në fondet që mund të përkrahin këtë iniciativë. Ai tha se edhe nëse arrihet që të vendosen ujëmatësit digjital  nuk do të ketë shtrenjtim të faturave të ujit por do të dihet harxhimi real. Ndryshe, në njoftimin e komunës së Tetovës për debatin lidhur me ujëmatësit digjital, theksohet se debati synon të hapë një diskutim të hapur dhe konstruktiv për përmirësimin e transparencës, efikasitetit dhe aksesit në shërbimet publike përmes digjitalizimit.

 

 

Të fundit