Të tjera lajme

JETON BEQIRI: SHKËNDIJA MERITON MË SHUMË RESPEKT!

Shkëndija përfundoi me obligimet evropiane dhe tërësisht i përkushtohet kampionatit vendor, kurse me fitoren ndaj Pelisterit ngushtoi diferencën e Vardarit në 4 pikë. Në xhiron e ardhshme zhvillohet derbi Vardari – Shkëndija. Në këtë kampionat, njollë e zezë vazhdon të mbetet referimi në ndeshje të caktuara ku protagonistë janë ekipet shqiptare.

Shkëndija regjistroi një fitore shumë të rëndësishme me përmbysje ndaj Pelisterit në xhiron e 20-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut, duke marrë tri pikë të mëdha që e afrojnë në vetëm katër pikë diferencë me liderin Vardarin, pikërisht tre ditë para përballjes së drejtpërdrejtë në Shkup.

Por, në përballjen e së hënës në Tetovë, në qendër të vëmendjes sërish ishin arbitrat. ShkupjanI Benjamin Kerimi me  disa vendime të njëanshme provokoi reagimin e publikut.

Futbolldashësit tetovarë me të drejtë shtrojnë pyetjen se cfarë ndodh me arbitrat kur referojnë ndeshje të caktuara vecanërisht kur luajnë, thënë kushtimisht, ekipet shqiptare.

Pas takimit trajneri Jeton Beqiri tha se ishte një ndeshje për t`u harruar por se fitorja është e rëndësishme. Sipas tij, Shkëndija meriton më tepër respekt.

“E rëndësishme është që Shkëndija shënon fitore dhe e rëndësishme është që ne pas ndeshjes me Samsunsporin, pas  udhëtimeve  dhe  stërmundimeve  të gjata unë e  pritja si ndeshje  të  ndërlikuar. Por  për mua e rëndësishme  është që  morëm tre pikë. Për  mua  është e rëndësishme që reaguam pas pësimit të golit dhe gjithashtu karakteri i skuadrës është për tu përshëndetur për shkak se bëhen disa  ndeshje  që  fitojnë në pjesën e dytë” deklaroi trajneri Jeton Beqiri

Në xhiron e ardhshme, të enjten, në stadiumin e FFM-së, zhvillohet derbi i madh Vardari – Shkëndija.

Sipas Beqirit, shqetësues është fakti se Shkëndija ka vetëm dy ditë për t`u përgatitur për ndeshjen me Vardarin, për dallim nga kundërshtari që ka pesë.

Beqiri do të jetë i detyruar të bëjë ndryshime në formacion pasi disa  nga lojtarët janë të  lënduar e disa do të pushojnë shkaku i kartonave.

’Kemi futbollist që  janë me lëndime, kemi futbollist që morën  kartonin e pestë që  do  jenë  të  suspenduar. Kështu që  futbollistët të  cilët  do të jenë të gatshëm qind për qind  në aspektin fizik dhe  në  gjithë aspektet  tjera do  mundohemi  që të nxjerrim ekipin më të mirë të mundshëm për momentin. Pavarësisht se për mua gjithmonë është e rëndësishme që futbollistët që  futen nga  bankina  se si  do reagojnë  për shkak se jo  rastësisht ne sot  futëm pesë  futbollist  të  cilët janë futbollist të formacionit bazë’’  tha  trajneri Beqiri

Pas kësaj ndeshje dhe gjithë asaj që ndodhi gjatë dhe pas përfundimit të takimit Shkëndija – Pelister,  FFM-ja  ka publikuar raportin e  arbitrit, duke pretenduar për lëshime serioze në aspektin e sigurisë. 

Por, në asnjë moment nuk ka përmendur qasjen e arbitrit ndaj lojtarëve vendas  dhe ndaj lojës . FFM-ja  në  vend  që të shpejtojë me  komunikata duhet që me vëmendje  të  analizojë referimin dhe disa arbitra në ndeshje  të  caktuara, siç ishte rasti i fundit në Tetovë por edhe në Strugë.

 SHABAN SINANI – TV KOHA

Të fundit