17/06/2024
25.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

ANKOHEN VOZITËSIT: Kalimi i pasigurt mbi hekurudhë që gjendet mes rrugës Tetovë-Falishtë

Në gjendje të mjerueshme është lënë kalimi i hekurudhës që gjendet mes rrugës Tetovë-Falishtë. Qindra vetura kalojnë mbi këtë kalim, por të shumtë janë vozitësit që dëmtojnë veturat e tyre. Kohëve të fundit, me urbanizimin e kësaj zone, çdo ditë e më shumë shtohen kalimtarët ndërsa ky kalim vazhdon e dëmtohet ende më shumë kurse autoritetet përgjegjëse nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për të tejkaluar këtë problem. Ata që çdo ditë e kalojnë këtë rrugë thonë se makinat e tyre po dëmtohen shumë dhe kërkojnë që sa më shpejtë që të jetë e mundur, të rregullohet ky kalim. Për më shumë kjo rrugë lidh fshatrat Falisht dhe Strimnicë me Tetovën. Për këta banorë ky kalim është kthyer në një shqetësim të madh. Shtuar këtu mungesën e sinjalizimit adekuat rreziku është tepër i madh. Sipas banorëve, më shumë dëmtohen gomat e veturave, shkaku i binarëve që kanë humbur baraspeshën. “Kemi dëmtimeve të automjeteve, sidomos gomat më shumë prishen nga binarët të cilët nuk e kanë humbur baraspeshën. Si pasojë e kësaj ne jemi të detyruar që shumë shpesh të bëjmë riparime të automjeteve sidomos gomave dhe amortizimit”, pohojnë vozitësit të cilët e kalojnë këtë rrugë çdo ditë.

Dhe përderisa institucionet nuk marrin hapa konkret për të sanuar këtë problem, qytetarët vazhdojnë të dëmtojnë veturat e tyre. Nga Komuna e Tetovës thonë se ky kalim bie nën kompetenca të Hekurudhave të Maqedonisë. Ndërsa pavarësisht insistimit tonë, nga Hekurudhat e Maqedonisë së Veriut nuk morëm përgjigje se pse nuk janë ndërmarrë masa për të evituar këtë problem me të cilën përballët qytetarët e Tetovës dhe të fshatrave të komunës së Zhelinës. Ky kalim ka më shumë se dhjetë vite që është vështirë i kalueshëm ndërsa asnjëherë nuk janë marrë masa për sanimin dhe rregullimin e kalimit. Që ky vend është lënë në harresë i ka ndihmuar edhe mosfunksionimi normal i transportit hekurudhor prandaj edhe nënkalimet apo mbikalimet nuk mirëmbahen si duhet, sepse në gjendje të këtillë është edhe kalimi në fshatin Ratajë dhe Jegunoc.

Në mungesë të sinjalistikës adekuate, jo të rralla kanë qenë edhe aksidentet në këtë kalim të hekurudhës, disa prej të cilave kanë përfunduar edhe me fatalitet. Ndërsa deri tani nuk është folur asnjëherë as për nënkalim e as për mbikalim dhe drejtuesit e automjeteve në këtë rrugë vazhdojnë të dëmtojnë veturat e tyre gjatë kalimit mbi këtë hekurudhë. Edhe pse ky kalim është tepër i frekuentuar kur dihet se një pjesë e madhe e banorëve të Tetovës dhe jo vetëm, kanë prona bujqësore dhe duhet patjetër të kalojnë përmes hekurudhës, rreziku është më i madh sepse mungojnë edhe shenjat paralajmëruese edhe pse treni rrallë herë kalon në linjën Shkup-Tetovë-Kërçovë.

Të fundit