25/04/2024
6.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

BE do të zgjerojë zonën Schengen nga marsi 2024

Më 30 dhjetor 2023, Presidenca spanjolle e Këshillit të BE-së njoftoi se Rumania dhe Bullgaria do të integrohen pjesërisht në zonën Schengen në mars 2024.

Rumania dhe Bullgaria, të dyja anëtare të BE që nga viti 2007, u refuzuan në fund të vitit 2022 nga blloku në zonën e gjerë Schengen, brenda të cilës më shumë se 400 milionë njerëz mund të udhëtojnë lirshëm.

Edhe pse Komisioni Evropian dhe Parlamenti Evropian ka vite që siguron që të dyja vendet janë të përgatitura për të hyrë në Schengen, Austria dhe Holanda bllokuan pranimin e tyre deri më tani.

Pas negociatave të ndërlikuara, Bullgaria dhe Rumania arritën një marrëveshje me Austrinë për t’u bashkuar me zonën Schengen për ajrin dhe kalimet detare si fillim, por jo nga toka.

Së bashku, të tri vendet më vonë do të bien dakord për datën se kur do të përfundojnë kontrollet në kufijtë tokësorë të Rumanisë dhe Bullgarisë.

Holanda bllokoi hyrjen e Bullgarisë për më shumë se 10 vjet mbi shqetësimet për sundimin e ligjit. Parlamenti holandez votoi më 21 dhjetor 2023 për të miratuar qëndrimin në favor të hyrjes së Bullgarisë në Schengen.

Në Rumani, vendimi i pjesshëm i anëtarësimit u mirëprit nga koalicioni qeverisës dhe mjedisi i biznesit por i kritikuar nga opozita. Kryeministri Marcel Ciolacu e përshkroi këtë vendim si një hap i madh përpara, duke theksuar se Qeveria rumune do të vazhdojë të punojë për të përfunduar procesin këtë vit.

Nga ana tjetër, disa eurodeputetë rumunë shprehën pakënaqësi me këtë aderim të pjesshëm në Schengen.

Eurodeputeti Eugen Tomac beson se Komisioni Evropian dhe Presidenca spanjolle e BE-së luajtën “kartën e kompromisit” me Austrinë, ndërsa eurodeputeti Dacian Cioloș, i cili është edhe ish-komisionar evropian për Bujqësi, vuri në dukje se rumunët trajtohen si qytetarë evropianë të rendit të dytë.

Komisioni Evropian ka premtuar të mbështesë Bullgarinë dhe Rumaninë në mbrojtjen ekufijve të jashtëm të BE-së. Bullgaria, në veçanti, do të merr mbështetje të konsiderueshme financiare nga Komisioni Evropian, si dhe ndihmë operacionale dhe teknike nga agjencia evropiane e kufirit, Frontex, veçanërisht në kufirin me Turqinë dhe Serbinë.

“Kërkesat e Austrisë do të plotësohen”, ka shkruar kancelari austriak Karl Nehammer në rrjetin social X në fund të dhjetorit.

“Misioni i Frontex në Rumani dhe Bullgari do të rriten dhe të dyja vendet do të marrin më shumë fonde të BE-së”.

Ministrja e Jashtme bullgare Mariya Gabriel shpresonte që një datë për heqjen e kontrolleve kufitare tokësore do të konfirmohej në 2024.

Qeveria e Bullgarisë, nga ana e saj, është e përkushtuar duke zbatuar në mënyrë rigoroze Rregulloren e Dublinit, e cila përfshin ripranimin e personave të regjistruar si azilkërkues në vend, në përputhje me rregullat e Komunitetit për vendin e parë përgjegjës.

Ndërkohë, ministri i Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviq tha se qëkur Kroacia iu bashkua Schengenit, në vitin 2023 mbi 1.850 trafikantë të migrantëve u arrestuan nga policia kroate ose 90 për qind më shumë krahasuar me 2022.

Të fundit