17/06/2024
25.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Biblioteka e Tetovës dhe Ministria e Kulturës arritën marrëveshje për zhvendosjen, do të sigurohen hapësira shtesë dhe rinovim

Tensionet midis Bibliotekës së Tetovës dhe Ministrisë së Kulturës rreth zhvendosjes së Bibliotekës po ulen. Dy institucionet kanë rënë dakord që gjatë zhvendosjes së Bibliotekës do të sigurohen hapësira shtesë përpos atyre të parashikuara, të cilat fillimisht për bibliotekën ishin të papranueshme. Do të ketë edhe rinovim të hapësirave, shkruan Portalb.mk.

Me kërkesë të Bibliotekës së Tetovës javën e kaluar, Ministria e Kulturës dërgoi komision për vlerësimin e hapësirave në të cilat duhet të transferohet Biblioteka e Tetovës. Pas kësaj, nga Biblioteka informojnë se është rënë dakord që këto hapësira të rinovohen, por edhe të sigurohen hapësira të tjera shtesë.

“Ramë në një farë ujdie që këto hapësirat ku duhet të shkojmë ne të rinovohen, të bëhen të përshtatshme për bibliotekën. Ministria e mori përsipër që këto pjesë ku duhet të intervenohet të rinovohet, të bëhen adekuate për bibliotekën plus na është premtuar se veç kësaj do të kemi edhe hapësira shtesë, ata që i kemi kërkuar tërë kohën”, tha bibliotekisti, Mahi Murtezani.

Hapësirat shtesë pritet të jenë në Qendrën për Kulturë, dhe siç tha Murtezani është çështje e Ministrisë pasi edhe qendra për Kulturë, Teatri dhe Biblioteka janë në kuadër të Ministrisë..

“Faza e parë, duhet të bëhet pranimi i hapësirave, pastaj të bëhet inspektimi detal i hapësirave, ne kemi bërë një specifikim të hapësirave, raport se çka duhet të intervenohet, atë raport e kemi dorëzuar në Ministri të Kulturës që pastaj ata të veprojnë. E them prapë, hapi i parë që duhet të bëhet është pranimi i hapësirave që ata ta kenë më të lehtë të intervenojnë renovime me përshtatjen e kushteve për punë”, tha Murtezani.

Por kjo tani për tani nuk dihet se kur do të bëhet pasi drejtoresha e Bibliotekës është në pushim të lindjes.

Nga ana tjetër, për këtë çështje, ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, në konferencën e sotme për shtyp konfirmoi se Biblioteka do të merr hapësira shtesë dhe se do të rinovohen hapësirat ku duhet të transferohet biblioteka.

“Kemi ardhur në përfundim se ajo që duhet të bëjë Biblioteka në Tetovë është të kalojë nga hapësira ekzistuese në hapësirat tjera, ku do të marrë 80 apo deri në 100 metra katrorë plus hapësirë ​​për tërë fondin e tyre të librave. Hapësirë që ne do ta rinovojmë, sepse duhet ta shfrytëzojnë, hapësirë ​​që do të modernizohet, do të them sërish, gjithçka derisa të hyjnë në hapësirat e tyre të reja në objektin e ri sipas standardeve më moderne”, tha KostadinovskaStojçevska.

Ministrja u bëri thirrje institucioneve kombëtare dhe punonjësve të kulturës që të ndalojnë politizimin dhe partizimin si dhe të ndalojnë tensionet rreth asaj se ku do të transferohet biblioteka e Tetovës.

Përndryshe, Biblioteka e Tetovës e pranoi vendimin nga Qeveria dhe Ministria e Kulturës të transferohen në hapësirat të cilat deri tani i ka shfrytëzuar Fakulteti i Arteve Muzikore. Ndërkaq edhe vendim nga ana e Pallatit të Kulturës që do duhet t’i lëshojnë hapësirat aktuale. Objektin aktual ku gjendet biblioteka, Qeveria ka vendosur t’ia jep për shfrytëzim Delegacionit të Bashkimit Evropian për Shtëpinë Evropiane në Tetovë. 

Ky vendim fillimisht ishte i papranueshëm për Bibliotekën e Tetovës dhe kërkuan që Qeveria dhe Ministria e Kulturës të shqyrtojnë këtë vendim edhe njëherë. Kjo solli edhe në përplasje midis dy institucioneve.

Ky problem nuk do të ekzistonte fare nëse institucionet, me theks të veçantë Ministria e Kulturës do të kishte përshpejtuar aktivitetet e saja për përfundimin e objektit të ri të Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovëspor të njëjtat janë zvarritur me vite. Ndërkaq Biblioteka dhe Teatri vazhdimisht janë ankuar për kushtet e këqija në të cilat punojnë.

Ndryshe, objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës premtohet 12 vitendërtohet 9 vite dhe sipas parashikimeve që ende nuk dihet nëse do të realizohen duke pasur parasysh faktin që shpesh ka zvarritje të punëve, do të jetë gati për 5 vite të tjera. Nëse vërtetë realizohet siç thuhet, ky objekt thellësisht i rëndësishëm për kulturën tetovare, do të ketë dyert hapur 17 vite pas premtimit të dhënë.

Të fundit