17/06/2024
20.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Çfarë do të ndodh me studentët nëse Konvikti i Tetovës nuk do jetë gati? MASh pa përgjigje, FNA: Në rrugë

Studentët të cilët aplikojnë për akomodim në KSHS Tetovë do të pranohen me kusht në konvikt në qoftë se i njëjti siguron kushte për punë deri më 01.10.2023. Kështu thuhet në Konkursin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për pranimin e studentëve në konviktet studentore për vitin akademik 2023/24. Por, çfarë do të ndodh me studentët të cilët do të aplikojnë për këtë konvikt nëse i njëjti nuk do të jetë gati deri në fillim të semestrit? Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk u përgjigjën ndaj kësaj pyetje, përgjigja e së cilës u intereson shumë studentëve, shkruan Portalb.mk.

Studentët të cilët janë të interesuar për në konviktin e Tetovës do të duhet të kenë edhe zgjidhje alternative tjetër pasi pranimi në këtë konvikt do të bëhet vetëm nëse konvikti do të siguron kushte për punë deri në tetor.

Ministria e Arsimit deri në publikimin e këtij teksti nuk e pa të arsyeshme sot të përgjigjet në pyetjet e Portalb.mk se çfarë do të ndodhë me studentët të cilët do aplikojnë për këtë konvikt dhe nëse kanë menduar për këtë pjesë. Madje nga Ministria nuk u përgjigjën edhe në atë çfarë rrezikon këtë konvikt të mos jetë gati deri më 1 tetor dhe ku kanë ngelur procedurat.

Kujtojmë që ministri i Arsimit para dy ditësh për Portalb.mk deklaroi se Konvikti është kompletuar por që pritet që gjatë kësaj periudhe të regjistrohet në Regjistrin Qendror dhe në institucionet tjera.

Informacion përveç se në konkursin e shpallur nga MASh për këtë konkurs në lidhje me konviktin, nuk gjendet as në ueb-faqen e Universitetit të Tetovës. Pyetëm këtë universitet, studentët e të cilit pritet të jenë banues në konvikt se nëse e shohin të arsyeshëm një konkurs me kusht të tillë, por nga atje shkurt na informuan:

“Deri me 22 gusht jemi në pushim vjetor”

Nga ana tjetër, Forumi për Ndryshime në Arsim (FNA) për Portalb.mk tha se me këtë konkurs për konviktin e Tetovës studentët rrezikojnë të ngelin në rrugë. Nga aty theksojnë se Tetova dhe studentët e këtij qyteti hapjen e një konvikti e presin tash 28 vite, përkatësisht nga themelimi i Universitetit të Tetovës në vitin 1994.

“Pas 3 dekadash, u premtua para gjashtë vitesh dhe nga atëherë janë ndërruar gjashtë ministra – secili prej tyre, për gjithë këto vite, nga një gurë të kishte lëvizë, ky konvikt do ishte gati shumë kohë më herët. Nga paafëtisa e tyre për të përmbushur një nevojë themelore për studentët, e pësojnë studentët të cilët detyrohen të paguajnë banesa private, të cilat për shkak të inflacionit jepen me shuma të majme dhe të papërballueshme për studentët. Ajo çfarë qëndron në konkursin e MASh-it se konvikti do të jetë gati këtë vit akademik “nëse plotësohen kushtet” është skandaloze, me pak fjalë MASh ju thotë studentëve se në qoftë se nuk arrimë ta funksionalizojmë konviktin, edhe pse ka kaluar çdo afat i logjikshëm për këtë, ju do të ngeleni në rrugë dhe duhet t’ia gjeni zgjidhjen vetes”, thanë nga Forumi për Ndryshime në Arsim.

Rikujtojmë që ndryshe nga Konkursi i MASh-it, i pari i arsimit – Jeton Shaqiri, së bashku me zëvendëskryeministrin e parë – Artan Grubin, para dy ditësh në faqet e tyre në Facebook u lavdëruan se konvikti do të jetë gati për vitin akademik 2023/24 që fillon në tetor.

Në këtë konvikt sipas konkursit, janë të paraparë të pranohen 300 studentë edhe atë 60 nga viti i parë dhe 240 nga vitet e dyta e lartë.

Studentët të cilët aplikojnë në Konkurs duhet të plotësojnë fletëaplikim elektronik dhe t’ia bashkëngjisin dokumentacionin përkatës në internet portalin http://e-uslugi.mon.gov.mk. Studentët mund të konkurrojnë për pranim vetëm për një konvikt studentor. Afati për aplikim i të gjithë studentëve zgjat deri më 11.09.2023. Nëse pas publikimit të listave përfundimtare me studentët e pranuar në konvikte, nëse mbeten vende të paplotësuara për akomodim në ndonjë konvikt, aplikimi do të vazhdojë deri në plotësimin e të njëjtave, por më së voni deri më 30.11.2023.

Maratonë premtimesh për konviktin studentor

Ky konvikt premtohet nga viti 2016, në ditën kur Qeveria e Maqedonisë së Veriut miratoi ligjin për themelimin e Universitetit “Nënë Tereza” u paralajmërua edhe ndërtimi i këtij konvikti, në të njëjtin vit u hap edhe tenderi për ndërtimin e këtij konvikti.

Përkundër faktit se tenderi për ndërtim u hap në shtator të vitit 2016, nuk kishte vendim për fillim të punëve, ky vendim zyrtarisht u mor në fund të marsit të vitit 2018 dhe ishte paraparë që ky objekt të finalizohet në prill/maj të atij viti.

Por edhe në këtë afat kohor nuk u bë. Më pas, nga MASH thanë se konvikti duhej të përfundonte në fund të vitit 2021, por edhe kjo nuk u bë.

Në fillim të vitit 2022, ministri aktual, Jeton Shaqiri deklaroi se konvikti pritej të jetë gati për semestrin i cili filloi tetorin e vitit të kaluar, që edhe kjo nuk u bë.

Ndërkaq premtimi më i fundit është se konvikti do të lëshohet në përdorim në tetor të këtij viti për vitin akademik 2023/24.

Ndryshe, mungesa e konviktit studentor përbën problem për shumë studentë të huaj pasi sipas tyre çmimet e banesave private janë të shtrenjta dhe mbulimi i harxhimeve është i jo i lehtë për studentët. Ndërsa gjetja e një apo më shumë cimeri/je për të bashkëjetuar dhe ndarë harxhimet nuk është gjithmonë e lehtë.

Të fundit