Në sallën e Këshillit Komunal u shënua me solemnitet Dita e Komunës së Tetovës, një ngjarje e veçantë ku u ndanë mirënjohje për shumë kontribuues të dalluar në fusha dhe profesione të ndryshme. Përfaqësues nga arsimi, mjekësia, sporti, gazetaria dhe shumë sektorë të tjerë patën nderin të pranojnë mirënjohje nga Komuna e Tetovës për përkushtimin dhe kontributin e tyre të çmuar.
Seancën solemne e hapi Kryetari i Këshillit të Komunës së Tetovës, Jusuf Abduli, i cili falënderoi qytetarët e përzgjedhur për angazhimin dhe rolin e tyre në transformimin pozitiv të komunës sonë. Ai theksoi se suksesi dhe zhvillimi i Tetovës janë rezultat i punës dhe përkushtimit të përbashkët.
Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, u shpreh se kjo ditë feste është një moment mirënjohjeje për të gjithë qytetarët shembullorë, të cilët me profesionalizëm dhe përkushtim kanë ndikuar në përmirësimin e jetës dhe avancimin e përgjithshëm të komunës.
Dita e Komunës së Tetovës shërbeu jo vetëm si një festë simbolike, por edhe si një dëshmi e vlerësimit institucional ndaj atyre që me punën dhe përkushtimin e tyre ndërtojnë një shoqëri më të mirë. Kjo ngjarje rikujton se zhvillimi i qëndrueshëm i Tetovës mbështetet mbi kontributin e njerëzve të saj, të cilët janë shtylla kryesore e progresit dhe krenarisë qytetare.







