19/06/2024
29.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Do të shtyhet votimi për ndryshimet kushtetuese?

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, pret që debati mbi nevojën e hapjes së debatit për Kushtetutën të fillojë në seancën plenare më 18 gusht. Kjo seancë mund të zgjasë dhjetë ditë, por Xhaferi ka hapur mundësinë që votimi të shtyhet. Kjo do të thotë se seanca duhet të ndërritet, dhe të vazhdojë kur të krijohet një shumicë prej dy të tretash.

“Formalisht, Kuvendi do të fillojë punën më 18 gusht dhe akti i votimit nëse do të jetë pas përfundimit të debatit, apo do të shtyhet, varet nga gjendja specifike e ditëve në vijim”, u shpreh Talat Xhaferi – Kryetar i Kuvendit.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickoski, e përshkroi një opsion të tillë si “blerje kohe”. Sipas tij, qeveria do të shfrytëzojë mundësinë për të shtyrë votimin për ndryshimet kushtetuese, sepse, siç thotë ai, nëse votimi dështon, rezultat logjik do të ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Mickoski përsëri bëri thirrje që projekt- amendamentet të hidhen në votim menjëherë.

“Beteja e individëve në qeveri nuk ka të bëjë me ndryshimin kushtetues. Lufta është se si të kalojmë muajin gusht dhe të manipulojnë më tej qytetarët dhe publikun, sepse ata janë nën presion për zgjedhje në vjeshtë, dhe zgjedhjet në vjeshtë për disa nga ministrat e qeverisë që janë pjesë e partnerit më të vogël të koalicionit LSDM, do të nënkuptojnë fundin e karrierës së tyre politike, por edhe për disa nga ministrat që janë pjesë e Bashkimit Demokratik për Integrim”, tha Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Mickoski theksoi se deputetët e VMRO- DPMNE-së, në seancën plenare të 18 gushtit do të votojnë kundër agjendës, e cila do të përfshijë pikën mbi nevojën për të hapur Kushtetutën. Lidhur me hapat e ardhshëm të partisë në Kuvend, ai njoftoi se do të konsultohet me deputetët. /Alsat.mk

Të fundit