25/04/2024
6.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

EVN i “hakmerret” Sllupçanit, për 8 ditë ju dorëzon fatura 41 mijë denarë (FOTO)

Mbi 41.000 denarë për tetë ditë fatura e rrymës! Kjo ka ndodhë në një familje në fshatin Sllupçan të Komunës së Likovës. Familja e O.Z., e cila jeton në Zvicër, gjatë muajit dhjetor e kanë shfrytëzuar shtëpinë vetëm 8 ditë në muajin dhjetor, kur kishin ardhur për pushimet e fundvitit.

Ditën ishin ngrohur me energji elektrike, ndërkohë që gjumin e kanë bërë tek i vëllai, dyke e fikur ngrohjen elektrike. Kryefamiljari thotë se ka bërë harxhime minimale, nuk kanë gatuar apo të kyçin aparatet tjera të amvisërisë.

I revoltuar jo aq për paratë, por për nënçmimin që po ju bën EVN, thotë se dimrin e ardhshëm zor se do të vijë në vendlindje.

Në ndërkohë, kushëririt të tij, fatura e dhjetorit i ka ardhur 57.000 denarë, ndërsa ditën ngrohen me dru. Ka harxhuar rreth 6 metra dru, ndërkohë që për një muaj, EVN i sjell faturë prej 57 mijë denarë.

Në shtëpinë e Zejnullait jeton vetëm ai dhe bashkëshortja. Dy djemtë jetojnë jashtë, në Evropë, ndërsa Zejnullai pjesën më të madhe ngrohet me dru. Kati i dytë i shtëpisë nuk ka ngrohje, pasi nuk ka njerëz. Megjithatë, për dy dhoma në katin e parë, fatura e energjisë i ka ardhur sikur të kishte harxhuar për tërë fshatin – mbi 57 mijë denarë, thotë me ironi Zejnullai.

“Është hakmarrje, ndryshe s’ka si shpjegohen këto fatura. 57 mijë, 41 mijë, 38 mijë…. në shtëpi që ngrohen me dru e ku jetojnë nga dy veta, vetëm EVN këtë e bën”, ankohen banorët.

Edhe shtëpisë së Remzi B. fatura e energjisë elektrike i ka ardhur shumë më shumë se sa është harxhuar. Mbi 27 mijë denarë, ndërsa ngrohen me dru, sikurse shumica e familjeve në fshatrat e Komunës së Likovës.

Banorë të Sllupçanit thonë se EVN ka nis hakmarrjen ndaj tyre, pasi për disa ditë, e bllokuan kompaninë që dëshironte me forcë t’i ndërrojë orëmatësit. Pas disa takimesh me autoritetet e komunës dhe banorë të Sllupçanit, EVN u lejua të nxjerrë orëmatësit jashtë shtëpive ndërsa garantuan se nuk do kenë fatura paushalle, por vetëm për shpenzimet reale.

Madje, EVN kishte siguruar se, nëse lejohet nxjerrja e orëmatësve në rrugë, kjo kompani borxhlinjve do t’u kërkojë vetëm 500 euro harxhime dhe borxhin tjetër do t’ua falë. Komuna e Likovës i besoi kësaj garance, ndërsa dyshimet e banorëve se borxhin do t’ua nxjerrin në faturat mujore, po dalin të vërteta.

Ka të atillë që janë ankuar, por asgjë konkrete nuk është ndërmarrë. “Ka disa që janë ankuar, por përveç lutjes që kanë dorëzuar, asgjë nuk ka ndodhë. Nga EVN thonë se ‘aq është harxhuar’, ndërsa nuk mund të konstatohet nga askush përveç tyre. Paramendo, ka ardh puna të ankohemi te ai që na vjedh”, thonë banorët.

Në ndërkohë, në asnjë fshat të banuar me maqedonas, nga Reçica, Umin Dolli, Novo Sella, Dobridolli, Konjarja… nuk ia ka orëmatësit jashtë shtëpive. Postierët që i shpërndajnë faturat në këto fshatra, thonë se kurrë nuk ju ka ndodhë të kenë parë fatura më të larta se 3000 denarë, edhe atë në kohë dimri. (koha.mk)

Të fundit