Shqipëria po bëhet gati për dy duelet e radhës në rrugëtimin drejt Botërorit 2026, ndaj Serbisë dhe Letonisë në qershorin vendimtar. Pas dy ndeshjeve të para të Grupit B, në kuadër të kualifikueseve për Kupën e Botës 2026, ku kombëtarja shqiptare regjistroi një humbje (2-0 në “Wembley”) dhe një fitore (3-0 në “Arena Kombëtare), sfidat e muajit qershor pritet të kenë një peshë të veçantë për ecurinë e kuqezinjve në këtë fushatë eliminatoresh.
Shqipëria do të luajë më 7 qershor një përballje delikate ndaj Serbisë, në një ndeshje që pritet të jetë mjaft e tensionuar dhe me atmosferë elektrizuese në “Arena Kombëtare” në Tiranë, me nisje nga ora 20:45. Tri ditë më pas, më 10 qershor, djemtë e Sylvinhos do të udhëtojnë në Riga për t’u përballur me Letoninë në “Skonto Stadions”, gjithashtu me start në orën 20:45.
Trajneri Sylvinho ka publikuar sot listën me 27 lojtarë, që do t’i grumbullojë për këto dy kualifikuese. Një përzierje mes elementëve me eksperiencë dhe prurjeve të reja premtuese. Vërehet rikthimi i emrave të rëndësishëm si Armando Broja, ndërsa në portë, përveç titullarit Thomas Strakosha, janë ftuar edhe Elhan Kastrati, Alen Sherri dhe Mario Dajsinani, duke konfirmuar konkurrencën e shëndetshme në këtë repart. Pra, portieri i Egnatias do ta bëjë “sefte” me kombëtaren e madhe, si kampion i Shqipërisë në fuqi (në fakt ai ka qenë me kombëtaren edhe në nëntor të vitit 2022, kur ekipi drejtohej nga Edy Reja, por asokohe bëhej fjalë për miqësoren ndaj Katarit, jo ndeshje zyrtare).
-Lista e plotë e lojtarëve të grumbulluar nga Sylvinho:
Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Alen Sherri, Mario Dajsinani
Mbrojtës: Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Mario Mitaj, Naser Aliji, Marash Kumbulla, Ardian Ismajli, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Adrian Bajrami.
Mesfushorë: Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Medon Berisha, Arbër Hoxha.
Sulmues: Ernest Muçi, Jasir Asani, Armando Broja, Myrto Uzuni, Rey Manaj, Mirlind Daku.
Pas humbjes 2-0 në “Wembley” ndaj Anglisë, favorite absolute e grupit, dhe fitores bindëse 3-0 ndaj Andorrës në “Arena kombëtare”, Shqipëria ka aktualisht 3 pikë në renditje. Dy sfidat e qershorit, veçanërisht ajo ndaj Serbisë, pritet të luajnë një rol kyç në përcaktimin e pozicionit të kuqezinjve në grup dhe mundësive reale për një vend në Kupën e Botës 2026, që do të zhvillohet për herë të parë në tri vende të ndryshme: SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Tifozëria shqiptare pritet të luajë rolin e saj vendimtar më 7 qershor, duke mbushur stadiumin dhe dhënë mbështetjen e zakonshme, çka e ka shndërruar “Arena Kombëtare” në një “kështjellë” të vërtetë për përfaqësuesen tonë. Tani më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për një paraqitje të fortë dhe të pjekur, për të hedhur një hap tjetër të rëndësishëm drejt ëndrrës së madhe: pjesëmarrjes në një Botëror, pasi e ka provuar veten në dy Kampionate Evropiane.







