18/09/2024
12.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Fundi vitit fundos shpresat për ndryshimet kushtetuese!

Këshilli i Bashkimit Evropian, ditë më parë, në një samit që mund të ishte vendimtar për vendin nëse do të ishin përmbushur kushtet miratoi konkluzionet në të cilat kërkoi që të zbatohen reforma në fushën e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe administratës publike, por edhe që marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë të respektohen. Krerët e shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së dje, gjatë Samitit të unionit, javën që lamë pas, morën vendimin për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë. E këtë vendim e uroi ministri i Jashtëm i RMV-së, Bujar Osmani, duke shprehur edhe zhgënjimin e tij me atë që ajo ditë mund të ishte ditë feste edhe për vendin tonë. Me këtë deklaratë të ministrit dhe gjendjes reale faktike në vend kuptohet qartazi që shpresat për realizimin e ndryshimeve kushtetuese janë zbehur. Edhe pse kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, pati deklaruar se ndryshimet do të bëhen deri në fund të vitit, shkruan Zhurnal.

Ndalet treni për BE, akuza e kundër akuza –

Fundi i vitit ishte koha reale për realizimin e ndryshimeve kushtetuese, viti po përfundon por debati për ndryshimet kushtetuese po vazhdon. Edhe përkundër optimizmit të lartë që këto ndryshime do të ndodhin, e vërteta e dëshmoi të kundërtën edhe këtë vit nuk ndodhën ndryshimet kushtetuese dhe Maqedonia e Veriut mbeti në të njëjtin vend për sa i përket rrugëtimit drejt BE-së.

E ndaj kësaj situate pa rezultat politikanët përgjigjen me akuza dhe kundër akuza. Më dëshpëruese është fakti që edhe në kushte lufte Ukraina mori datën për hapjen zyrtare të negociatave me BE-në. Pra, RMV në kushte paqe nuk arriti të sigurojë datën për fillim të negociatave. Kjo tregon që në fakt në vend ka një luftë të brendshme por pa armë.

Qytetarët do të dënojnë koalicionin antievropian në zgjedhje, thonë nga LSDM-ja duke i fajësuar VMRO-DPMNE-në dhe Të Majtën si arsye kryesore se pse vendi u bllokua në rrugën eurointegruese.

“Bllokadat e koalicionit antievropian të DPMNE-së dhe të Majtës janë arsyeja e vetme, pavarësisht se kemi një proces skrining të përfunduar me sukses, pavarësisht se kemi mbështetje të fortë dhe të qartë dhe dyer të hapura në BE-së. Konkluzionet e Këshillit Evropian janë të qarta, kemi pasur një skrining të suksesshëm dhe konferenca e dytë ndërqeveritare do të thirret pa vonesë për të hapur kapitujt pas miratimit të amendamenteve kushtetuese”, tha Bogdanka Kuzeska, LSDM.

LSDM janë aq të shkëputur nga realiteti sa nuk e kuptojnë se marrëzitë e llojit fajin e ka VMRO pse nuk ka fillim negociatash, askush nuk i pranon më si argument, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.

“Në vend që të humbin kohë në konferenca për shtyp, le të thërrasin Olaf Sholcin, kancelarin e Gjermanisë dhe një mik të Maqedonisë, i cili është edhe kryetar i një partie simotër të LSD-së, pasi ai e bindi Orbanin të largohej nga takimi për të kaluar vendimin për Ukrainën, ta bëjë të njëjtën gjë me Bullgarinë për ne. Nëse kjo nuk ndodh, është e qartë se Bullgaria nuk është arsyeja e vetme e bllokimit të integrimeve në BE, por krimi dhe marrëzia e qeverisë, kurse anëtarët e mëdhenj të BE-së e fshehin atë pas Bullgarisë”, thonë nga VMRO-DPMNE.

Samiti i BE-së hap rrugën Ukrainës dhe Moldavisë por jo edhe Maqedonisë së Veriut –

Javën që lamë pas krerët e shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së, gjatë Samitit të unionit, morën vendimin për fillimin e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë. Dhe, kjo tregon që Maqedonia e Veriut ka ngecur në këtë rrugëtim dhe nuk ka arritur të sigurojë datë të saktë për fillim të negociatave me BE-në.

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i dërgoi urime Ukrainës dhe Moldavisë me rastin e vendimit të BE-së për fillimin e negociatave me dy vendet.

“Urime Ukrainës dhe Moldavisë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Sot mund të ishte ditë për të festuar edhe këtu për hapjen e kapitujve, por forcat e errëta antievropiane po mbajnë peng 2 milionë qytetarë. Edhe pak!” thuhet në statusin zyrtar të Osmanit në Fejsbuk.

Por, kjo “edhe pak” ka qenë parullë që nga viti 2005 dhe po kuptohet që kjo pak po rezulton shumë në pritshmëritë e qytetarëve për rrugëtimin e vendit drejt BE-së. Dhe, në vend të pritjes së kësaj “pake” qytetarët po vendosin të integrohen individualisht në shtete të BE-së.

Ndryshimet Kushtetuese janë vendimtare për ecurinë e vendit, nëse ndodhin vendi vazhdon rrugëtimin evropian, nëse nuk ndodhin vendi izolohet dhe pëson regres dhe sërish ballafaqohet me veton bullgare, pra kemi kthim në pikën zero. Edhe përkundër formimit të komisionit për hartimin e amendamenteve nga Ministria e Drejtësisë ndryshimet kushtetuese nuk ndryshuan nga vendi.

Kujtojmë që, ndryshimet kushtetuese duhet të bëhen për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, si popull shtetformues, ashtu siç parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy shteteve për identitetin maqedonas, gjuhën dhe dallimet historike. Komisioni në fjalë është bojkotuar nga opozita maqedonase dhe ajo shqiptare, të cilat kanë qëndrime të ndryshme lidhur me ndryshimet e që synohen të miratohen. Opozita shqiptare kërkon që me ndryshimet kushtetuese të largohet edhe 20 përqindëshi për gjuhën shqipe. Ndërkaq, opozita maqedonase kërkon formimin e shtetin nacional, sipas modelit korat, ku RMV të definohet shtet i maqedonasve dhe i pakicave tjera, duke përfshirë këtu edhe shqiptarët si pakicë, pa çka se janë mbi 30%. /Zhurnal.mk

Të fundit