17/06/2024
18.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Gabriel Escobar nesër vjen për vizitë në Shkup, pritet të takohet edhe me Mickoskin

Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Gabriel Escobar, nesër (e enjte, 24 gusht 2023) do të vizitojë Shkupin. Eskobar do të jetë në vend edhe të premten (25 gusht), kur janë planifikuar edhe shumica e takimeve me bashkëbiseduesit e tij. Përveç kreut shtetëror-qeveritar, Escobar do të takohet edhe me liderin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk.

Vizita e Eskobarit vjen pas fillimit të procedurës plenare parlamentare për miratimin e ndryshimeve kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Rendi i ditës është miratuar me 70 vota “pro” dhe se pasi është shteruar diskutimi për projektvendimin për aderim në ndryshimin e Kushtetutës, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, ka shtyrë votimin deri në sigurimin e shumicës prej dy të tretave.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së mbrëmë nga Kërçova tha se po bëhet strategji për të thyer VMRO-DPMNE që deputetët e opozitës të votojnë për amendamentet kushtetuese.

“Sot, teksa flas për këtë, ne po përballemi me një sfidë historikisht epokale. Sot Evropa dhe bota po bëjnë një strategji për të thyer VMRO-DPMNE-në dhe këta 44 për të votuar në parlament amendamentet e pabesa kushtetuese të përshtatura sipas diktatit bullgar. Duhet të bashkohemi, të qëndrojmë rreth qëllimit të përbashkët, e kjo është një fitore e madhe në zgjedhjet e ardhshme, reforma të forta dhe Maqedonia ashtu siç e dëshirojmë të gjithë dhe fëmijët tanë të qëndrojnë në shtëpi”, tha Mickoski në Kërçovë.

Pak orë para paraqitjes së Mickoskit, ambasadorja amerikane Ageler përsëriti se vendi i Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian dhe se të gjithë politikanët në vend duhet të punojnë për arritjen e këtij qëllimi.

“Unë mendoj se prosperiteti dhe siguria e këtij vendi qëndron në integrimin në Evropë dhe shpresoj që politikanët nga të gjitha partitë në këtë vend të punojnë për të. Kufiri me Greqinë na kujton vendimet e vështira që ky vend ka marrë tashmë. E pranoj se edhe kjo është e vështirë, por thjesht inkurajoj qytetarët që t’u bëjnë të ditur politikanëve të tyre se duan të jenë pjesë e BE-së”, tha ambasadorja Ageler.

Në korrik të këtij viti, Escobar, në paraqitjen e tij para Nënkomitetit për Politikë të Jashtme të Kongresit Amerikan, deklaroi se administrata amerikane po punon me autoritetet në Sofje në mënyrë që Bullgaria të mos japë kushte dhe kërkesa të reja pasi Maqedonia të përmbushë detyrimet e saj nga marrëveshjet ekzistuese.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Përndryshe, me 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.

Të fundit