15/06/2024
17.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Hajdari: Reagimet kundër Kurtit në Maqedoni e kanë qendrën në Beograd

Fejzi Hajdari, njohës i çështjeve politike dhe botues i gazetës Lajm, thotë për Radion Evropa e Lirë se reagimi i presidentit Stevo Pendarovski, i cili kërkoi sanksione për organizatorët e vizitës së kryeministrit Kurti, për shkak se në një tubim u pa një grafit me hartën e “Shqipërisë etnike”, por edhe reagimet e zyrtarëve të tjerë partiakë, të kujtojnë “histerinë antishqiptare gjatë periudhës së komunizmit”.

Ai thotë se “reagimet e tilla e kanë qendrën në Beograd”, që sipas Hajdarit, dëshmohet edhe me reagimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, i cili vizitën e Kurtit e quajti “skandal mbi skandalet”, pasi në Tetovë dhe Shkup, sipas Vuçiqit ishte promovuar “Shqipëria e Madhe”.

“Në Maqedoni të Veriut kur është fjala për shqiptarët, gjithmonë aktivizohet ‘butoni’ nga Beogradi, atje ku tradicionalisht gatuhen ‘kuzhinat antishqiptare’… Unë habitem me partitë shqiptare, respektivisht Bashkimin Demokratik për Integrim [BDI], i cili deri tani nuk e pa të arsyeshme të bënte qoftë edhe një reagim dyfjalësh, ndërkohë institucionet tjera, presidenti, kryeministri, e partitë tjera po shfaqin histerinë e dikurshme”, thotë ai.

Sipas Hajdarit, është “hipokrizi” të kërkosh sanksione për një grafit të shfaqur në një tubim dhe “të mos kërkosh sanksione kur shqiptarët fyhen çdo ditë në fusha sportive dhe kur çdo ditë hasim në grafite me thirrje të rënda antishqiptare”.

“Paramendoni kemi grafite nëpër Shkup ‘Vdekje për shqiptarët’, kemi brohoritje antishqiptare në ndeshje futbolli nga tifozeria maqedonase, e cila kërkon ‘dhoma gazi për shqiptarët’, ‘vetëm shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë’ dhe nuk di unë nëse ndonjëherë është ngritur ndonjë padi ndaj këtyre grupeve”, thotë Hajdari.

Ai konsideron se reagimet e palës maqedonase më shumë kanë të bëjnë me kundërshtimin e deklaratës së kryeministrit të Kosovës për nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet Maqedonisë së Veriut, Bullgarisë, Kosovës e Shqipërisë për ta ndalur ndikimin rus e serb në Ballkanin Perëndimor./shqip.media/

Të fundit