27/05/2024
19 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ilire Dauti : Masat – vendimet e ndërmarra nga qeveria në gjykimin e ASH janë gjysmake dhe jo gjithëpërfshirëse

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri dhe ministri i ekonomisë në qeverinë e RMV, në një dalje para opinionit publik dolën dhe i kumtuan masat- vendimet me të cilat do të sigurojë energji elektrike më të lirë për kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore bazë në të cilat bëjnë pjesë prodhuesit e vajit të gatimit, bukës dhe produkteve të miellit, qumështit dhe produkteve të qumështit, industrisë së mishit dhe shpendëve, për shkollat fillore e ato të mesme si dhe për ndërmarrjet komunale publike.
Masat – vendimet e ndërmarra nga qeveria në gjykimin e ASH janë gjysmake dhe jo gjithëpërfshirëse.
Për kompanitë e produkteve ushqimore parashihet që për një kWh çmimi të jetë 8,2942 denarë [ 4,92 denarë (furnizimi )+ 3.3742 denarë ( distribuimi) ], ndërsa për shkollat fillore,të mesme e për ndërmarrjet publike komunale parashihet që çmimi për një kWh të jetë 9,2167 denarë [ 5,8425 denarë (furnizimi )+ 3.3742 denarë (distribuimi) ].
Për saktësim e objektivitet , një kWh në tregun e furnizuesit të shërbimit universal për kategorinë konsumuese industriale ( bizneset e vegjël) çmimi është 17,1691 denarë [ 13,7949 denarë (furnizimi )+ 3.3742 denarë ( distribuimi) ] .Pra dallimi në çmim është 8,8749 denarë apo 107% më lirë se çmimi me të cilin do furnizohen konsumatorët e tjerë të industrinë në vend në tregun e furnizuesit të shërbimit universal.
Ajo që është më e pakapshme dhe më intriguese nga kjo masë e ndërmarrë, është fakti se megjithëse çmimi i energjisë elektrike për prodhuesit e industrisë ushqimore do të jetë shumë i favorshëm, qeveria parashikon dhe pret që çmimet e produkteve ushqimore të pësojnë ulje në masën prej vetëm 10 % .
Kjo pjesë e industrisë ushqimore, jemi dëshmitarë se pas aplikimit të çmimeve të reja të energjisë elektrike pas muajit korrik 2022, i kanë rritur çmimet e produkteve të tyre në masën nga 50% deri në mbi 100 %, dhe një nga arsyet kryesore të kësaj rritjeje sipas deklarimeve të udhëheqësve të këtyre kompanive, ka qenë pikërisht rritja e çmimit të energjisë elektrike.
Tani që çmimi i ofruar për furnizim me energji elektrike është shumë më i leverdishëm, e po u afrohet çmimeve që ofronte tregu liberal para fillimit të krizës energjetike, çmimet e produkteve ushqimore duhet të pësojnë ulje të ndjeshme, pasi ka rënë edhe fuqia blerëse e konsumatorëve.
ASH, fton udhëheqësit e kompanive ushqimore që të jenë të arsyeshëm dhe të përllogarisin edhe njëherë në mënyrë reale koston e produktit final, parashikimet e pritjet e qytetarëve janë që çmimet të ulen ndjeshëm, pasi buxheti financiar i tyre nuk mund ti mbulojë nevojat e kërkesat e tyre për furnizim me produkte ushqimore, ndërsa qeverinë e fton që kryejë kontrolle e të zbatojë ligjet në rast se çmimet nuk pësojnë ulje reale .
Pyesim kryeministrin dhe kabinetin e tij qeveritar, pse në këto masa – vendime për sigurim të energjisë elektrike me çmim të favorshëm, nuk janë përfshirë konviktet e nxënësve dhe studentëve, fakultetet, qendrat shëndetësore, shtëpitë e shëndetit dhe shtëpitë e përkujdesjes sociale e të të moshuarve?
Qeveria premtoi por nuk e shohim që të zbatohet dhe në këtë pako të masave të ndërmarra nuk figuron, që formula e përcaktimit të çmimit të furnizimit me energji elektrike nga furnizuesi i mundësisë së fundit të pësojë ndryshime, nga çmimi mesatar mujor në bursën ndërkombëtare HUPX + 50 % në çmimi mesatar mujor në bursën ndërkombëtare HUPX + 20 %, me këtë rast e rikujtojmë qeverinë që ta formulojë edhe këtë masë në këto pako të vendime të ndërmarra.
I bëjmë thirrje kryeministrit e kabinetit të tij qeveritar, që mos i ofrojnë në të ardhmen opinionit publik në vend informata të pabazuara dhe të pasakta, pasi edhe sot siç kanë deklaruar edhe në raste të tjera, nuk janë të vërteta deklaratat se po subvencionohen në masë prej 80 % çmimi i energjisë elektrike për 600.000 konsumatorë familjarë dhe 72.000 konsumatorë industriale ( bizneset e vegjël), pasi konsumatorët industrial në tregun e furnizuesit të shërbimit universal sot paguajnë 17,1691 denarë për një kWh ndërsa çmimi mesatar mujor për muajin tetor 2022 në bursën ndërkombëtare HUPX është 12,03 denarë për një kWh , nga ku nxjerrim konkludimin se konsumatorët industrial në RMV paguajnë një çmim më të lartë për një kWh se sa janë aktualisht çmimet në bursat europiane të energjisë elektrike, pra zotëri qeveritar mos gënjeni e mos deklaroni të pavërteta .
ASH fton dhe pret nga qeveria që ti merr parasysh kërkesat e vërejtjet e artikulluara nga ana jonë dhe të zgjerojë masat për përfshirjen edhe të konsumatorëve të kategorive të lartpërmendura në këtë paket masa për sigurim të energjisë elektrike me çmim më të favorshëm.
Ilire Dauti, deputete
– Departamenti për ekonomi pranë ASH

Të fundit