13/07/2024
24.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Komuna e Tetovës akuzon Qeverinë se “për arsye banale dhe politike” refuzon kërkesën për dëmshpërblimin e dëmeve nga vërshimet

Komuna e Tetovës nëpërmjet një reagimi akuzon Qeverinë e Maqedonisë së Veriut se për arsye “banale dhe politike”, po u hakmerret qytetarëve të saj duke hedhur poshtë raportin e Komunës së Tetovës, në lidhje me vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në maj të vitit të shkuar, pasi më 28 prill u ka arritur një shkresë nga Komisionit për Vlerësim dhe Përcaktim të Dëmit nga Fatkeqësitë Natyrore ku thuhet se lënda nuk është e kompletuar dhe nuk është punuar sipas Metodologjisë për vlerësim të dëmit nga fatkeqësitë natyrore, njofton Portalb.mk.

“Ne informojmë opinionin se Komisioni për vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë elementare i formuar nga qeveria nuk e ka marrë aspak parasysh raportin e komisionit komunal për vlerësimin e dëmeve nga vërshimet e vitit 2022, edhe përkundër faktit se qeveria e ka për obligim ligjor që të ndihmojë zonat e prekura nga fatkeqësitë natyrore. Ne konsiderojmë se ky vendim i qeverisë për të mos ndihmuar banorët e prekur nga vërshimet ka prapavijë politike si rezultat i humbjes së dyfishtë që pësoi partia politike që është në pushtet”, thonë nga Komuna e Tetovës, me të cilën udhëheqë kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.

Në shkresën e Komisionit për Vlerësim dhe Përcaktim të Dëmit nga Fatkeqësitë Natyrore thuhet se lënda nuk është e kompletuar dhe nuk është punuar sipas Metodologjisë për vlerësim të dëmit nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera.

“Ju njoftojmë se lënda duhet të punohet sipas Metodologjisë në afat prej 15 ditësh, pas pranimit të kësaj shkrese, ta dorëzoni në Komisionin për Vlerësim dhe Përcaktim të Dëmit nga Fatkeqësitë Natyrore që e formon Qeveria. Nëse në afatin e paraparë nuk e kompletoni lëndën në pajtueshmëri me metodologjinë, ky komision do ta informojë Qeverinë se lënda nuk është e kompletuar”, thuhet në shkresën e Komisionit, që ia ka dërguar Komunës së Tetovës.

Prej komunës informojnë se pas zgjedhjeve për këshillin komunal formoi edhe komisionin për vlerësimin e dëmeve të shkaktuar nga vërshimet në vitin 2022 me çka përgatiti raportin final, raport ky që nuk u pranua nga Komisioni për vlerësimin dhe përcaktimin e dëmit nga fatkeqësitë elementare i formuar nga qeveria e RMV me arsyetime, siç thonë ata banale madje edhe politike.

“Komuna e Tetovës, informon qytetarët se pushteti qendror jo vetëm që nuk ndërmori asnjë hap që tu del në ndihmë qytetarëve të prekur nga vërshimet, por pushteti vazhdon të bëjë obstruksione dhe të krijojë situate të palakmueshme. Komuna e Tetovës informon qytetarët se do të ndërmerr masa dhe veprime konkrete të nevojshme për të ndihmuar qytetarët e prekur nga vërshimet dhe i siguron se dëmet e shkaktuara nga vërshimet do të kompensohen”, thonë nga Komuna e Tetovës.

Portalb.mk më 27 gusht të vitit 2022, informoi se vërshimet e gushti të atij viti në Tetovë dhe fshatrat përreth shkaktuan dëme të konsiderueshme për qytetarët, por, Qeveria Maqedonisë së Veriut edhe pse pati kërkesë nga Shtabi i Krizës në Komunën e Tetovës që të dalë në ndihmë për dëmet e shkaktuara te banorët, të njëjtën nuk e kanë pranuar. Të pyetur nga Portalb.mk për atë se përse nuk kanë dalë në ndihmë në një fatkeqësi të tillë, ata nuk dhanë përgjigje konkrete.

Të fundit