Komunat e Pollogut do të duhet që të paguajnë për dëmtim të infrastrukturës në territorin e komunës së Gostivarit.Kjo për shkak se kamionët që dërgojnë mbeturina në deponinë Rusino, shfrytëzojnë rrugët e kësaj komune.Kjo është pjesë e një marrëveshje që kur është krijuar ndërmarrja e përbashkët rajonale Rusino-Pollog. Kjo është diskutuar edhe në mbledhjen e fundit të kryetarëve të komunës së Pollogut. “Në veçanti, u diskutua për marrëveshjen e nevojshme në mes të NRP Rusino-Pollog dhe Komunës së Gostivarit për kompensimin e dëmeve të shkaktuara në fushën e ambientit jetësor dhe infrastrukturës, duke përfshirë lokacionin e deponisë dhe transportin e mbeturinave”, njoftuan nga Këshilli për Zhvillim Planor i Rajonit të Pollogut.Këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami.
Në ndërkohë, kryetari i komunës së Tetovës Bilall Kasami ka bërë të ditur se ende nuk është gati projekti për ndërtimin e rrugës së re për në deponinë Rusino dhe për këtë kompetente është Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Ndryshe, në deponinë Rusino mbeturina dërgojnë nëntë komunat e Pollogut, kamionët e të cilëve kalojnë përmes qytetit të Gostivarit, pasi qasja deri në këtë deponi është vetëm përmes një rruge. Kjo ka bërë që shumë shpejt të dëmtohet infrastruktura rrugore në këtë komunë, prandaj edhe pritet që për këtë komunat e Pollogut të bëjnë edhe kompensimin e dëmit që shkaktohet në aspektin infrastrukturor. Kohë më parë është paralajmëruar se pritet që të hapet një rrugë e re nga rruga regjionale Gostivar-Kërçovë që çon në deponinë Rusino por deri më tani nuk ka asgjë konkrete./TV KOHA/