21/07/2024
27.4 C
Tetovo

Të tjera lajme

KQZ e Shqipërisë kërkon nga prokuroria ta parandalojë shitblerjen e votave

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi ka kërkuar parandalimin e krimeve zgjedhore përmes një letre drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme dhe Strukturës së Posaçme Anti-korrupsion (SPAK) 3 ditë para zhvillimit të zgjedhjeve vendore.

Më 14 maj në Shqipëri votohet për zgjedhjen e 61 kryetarëve të bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë.

Celibashi kërkoi që prej ditës së enjte dhe deri në përfundim të procesit të numërimit të votave të ketë një vëmendje më të shtuar nga këto institucione, për të parandaluar krimet zgjedhore dhe për t’i evidentuar ato.

SHBA-ja e shqetësuar nga raportimet për shitblerje të votave në Shqipëri
“Sjell në vëmendjen tuaj nevojën për të koordinuar ushtrimin e përgjegjësive me qëllim parandalimin dhe evidentimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve në mënyrë efikase, më së paku në raport me kohën. Rekomandojmë të caktohen dhe të njihen reciprokisht kontaktet përkatëse, të posaçme, pritëse dhe dërguese të informacioneve të rastit. Kjo veçanërisht për periudhën nga sot deri në përfundimin e procesit të numërimit të votave”, thuhet në letrën që u drejtohet institucioneve hetimore.

Letra vjen një ditë pasi në Tiranë u arrestua një 52-vjeçar pas një video të publikuar në rrjetet sociale ku flitej për blerjen e 4 votave për 15 mijë lekë (135 euro).

Personi tjetër që bisedonte me të përmes telefonit u procedua në gjendje të lirë.

Shitblerja e votës është një nga problemet kryesore që është raportuar në çdo proces zgjedhor në Shqipëri.

Presidenti i Shqipërisë apelon për zgjedhje të lira dhe pa keqpërdorime
Edhe në raportin e misionit vëzhgues të zgjedhjeve në Shqipëri, ODIHR, për zgjedhjet e fundit të zhvilluara në këtë shtet më 25 prill të vitit 2021, theksohet se “ashtu si në zgjedhjet e mëparshme, pretendimet e besueshme të blerjes së votës ishin të pranishme gjatë dhe pas fushatës dhe hetimet filluan në një numër çështjesh. Pretendime të tilla nuk ishin të kufizuara në asnjë parti”.

OSBE/ODIHR rekomandoi që agjencitë e zbatimit të ligjit të intensifikojnë përpjekjet për të identifikuar, hetuar dhe ndjekur penalisht rastet e blerjes së votave./evropaelire.org/

Të fundit