15/06/2024
17.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Mali i Zi, policia në kërkim të shtetasve të huaj të dyshuar për hapjen e tunelit nën Gjykatën e Lartë

Policia malazeze është në kërkim të së paku 6 personave, shtetas të huaj, për të cilët dyshohet se kanë marrë pjesë në hapjen e tunelit nën ndërtesën e Gjykatës së Lartë në Podgoricë, raporton Anadolu.

Tuneli 30 metra i gjatë, i cili të çon nga një banesë në ndërtesën përballë Gjykatës së Lartë në rrugën “Njegoshi” në Podgoricë në depon e Gjykatës së Lartë, u zbulua nga zyrtarët e gjykatës javën e kaluar. Në depon e gjykatës janë vendosur prova për krimet më të rënda dhe nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se gjatë futjes në depo janë vjedhur 19 armë.

Ditët e kaluara policia ka shqyrtuar pamjet e kamerave të sigurisë, ndërsa në cilësinë e qytetarëve janë marr në pyetje edhe zyrtarë të Gjykatës së Lartë, mes tyre edhe kryetari i gjykatës, Boris Saviq.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare diskutoi të premten për gërmimin e tunelit dhe vjedhjen e materialit dëshmues nga depoja e gjykatës ndërsa ende nuk ka përfunduar regjistrimi i listës së të gjitha sendeve të gjetura.

Drejtoria e Policisë konfirmoi mbrëmjen e së mërkurës se në afërsi të Podgoricës është gjetur një furgon, i cili dyshohet se është përdorur nga të dyshuarit për të hyrë në depon e Gjykatës së Lartë.

Në seancën e fundit të Byrosë për Koordinimin Operativ të Sektorit të Inteligjencës dhe Sigurisë (BOK) u tha se hyrja në depon e Gjykatës së Lartë paraqet “sulmin më të rëndë dhe më të rrezikshëm ndaj institucioneve shtetërore dhe sistemit gjyqësor”.

Të fundit