28/05/2024
11.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Maqedonia e Veriut përgatitet për dimrin më të vështirë, të gjitha kapacitetet energjetike do të vendosen në funksion

Maqedonia e Veriut i bënë të gjitha përgatitjet për dimrin e ardhshëm në fushën e energjetikës, thonë organet kompetente, të cilat nuk fshehin se do të jetë ndër dimrat më të vështirë në vitet e fundit.

Në funksion do të vendosen të gjitha kapacitetet vendore për prodhimin e energjisë elektrike, ndërsa në fund është blerja e sasive të nevojshme të mazutit dhe qymyrit. Autoritetet në vend ju bëjnë thirrje qytetarëve të kursejnë energji elektrike, përcjell Telegrafi Maqedoni.

EMV siguron se do t’i plotësojnë plotësisht nevojat e EVN Home, Elektrodistribuimit dhe MEPSO. Drejtori i EMV-së Vasko Kovaçevski thotë se të gjitha blerjet e nevojshme janë bërë në kohë dhe me çmime të volitshme. Për blerjen e mazutit të dorëzuar deri më tani janë shpenzuar rreth 25 milionë euro dhe për thëngjill rreth 30 milionë euro. Nëse ka mungesë të energjisë gjatë dimrit, siç tha dje Kovaçevski, do të importohet, por sipas tij, do të ishte sasi shumë e vogël.

Tani po vijnë sasi të thëngjillit nga blerjet e bëra në mars, prill dhe maj për të cilat janë lidhur kontrata dhe sipas drejtorit të EMV sasi të reja do të prokurohen shtesë dhe do të dorëzohen nga nëntori deri në prill. Çmimi mesatar për thëngjillin e blerë, siç tha ai, është nga 55 deri në 62 euro për ton, ndërsa në bursë kushton nga 90 deri në 120 euro për ton.

Të gjitha objektet vendase që prodhojnë energji elektrike do të vihen në punë. Përveç dy blloqeve të TEC Manastirit, pritet të vihet në funksion edhe blloku i tretë, për të cilin është lidhur kontrata për blerjen e transformatorit të ri dhe i vjetri është duke u riparuar. Siç tha Kovaçevski, pritet që ai të vihet në funksion në tetor.

Me shpalljen e gjendjes së krizës në gusht, pritet që kërkesat e sektorit të biznesit të fillojnë të zbatohen – gjatë dimrit të mos mbyllen kufijtë për importin e energjisë elektrike dhe këtë Qeveria duhet ta komunikojë me Serbinë dhe Bullgarinë./Telegrafi/

Të fundit