29/02/2024
10.3 C
Tetovo

Të tjera lajme

Mexhiti: Pirja e duhanit në vendin tonë është në nivel alarmant

Sot, Dr. Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë, mori pjesë në prezantimin kombëtar të rezultateve të marra nga Studimet mbi aspektet e sjelljes dhe aspektet kulturore të përdorimit dhe lënies së duhanit, si dhe prezantimin e statusit të investimeve të duhanit në vend.

Në këtë ngjarje, të organizuar në prag të “31 Majit – Ditës Botërore pa Duhan”, morën pjesë Dr. Anne Johansen, përfaqësuese speciale e OBSH-së në vendin tonë dhe Znj. Suzana Ahmeti Janiq, udhëheqëse e sektorit për prosperitet gjithëpërfshirës në UNDP.

Në fjalën e tij, ministri Mexhiti theksoi se për herë të parë në nivel kombëtar po zhvillohen studime të këtij lloji, të cilat shërbejnë për të planifikuar hapat e ardhshëm strategjikë, si dhe për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve, në mënyrë që të forcohen aktivitetet
kombëtare për të kontrolluar përdorimin e duhanit dhe produkteve të duhanit. Duke marrë parasysh faktin se përdorimi i duhanit është ndër faktorët kryesorë për sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë nga sëmundjet jo-ngjitëse, është e nevojshme të planifikohen dhe të merren masa aktive për të zvogëluar konsumin e duhanit dhe produkteve të duhanit.

“Rezultatet e studimeve tregojnë se pirja e duhanit dhe përdorimi i duhanit në vendin tonë është në një nivel alarmant të lartë, domethënë, gjysma e popullsisë konsumon cigare dhe produkte të duhanit në baza ditore. Në këtë drejtim, së bashku me partnerët tanë, po
shqyrtojmë krijimin e aktiviteteve të reja, specifike që synojnë mbështetjen e zbatimit të konventës Kornizë për Kontrollin e duhanit, bazuar në pikëpamjet e punonjësve shëndetësorë dhe popullatës”, tha mes të tjerash Dr.Fatmir Mexhiti, Ministër i Shëndetësisë.

Në kuadër të fjalimit të sotëm, Ministri shprehu mirënjohjen e tij për Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për mbështetjen e vazhdueshme në mbrojtjen e shëndetit të popullatës dhe forcimin e sistemit shëndetësor, si dhe për UNDP-në dhe të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara (OKB), të cilat po punojnë pa u lodhur në zhvillimin dhe zbatimin e politikave, strategjive dhe aktiviteteve, siç është Strategjia Kombëtare e Zhvillimit për 20 vitet e ardhshme, me qëllim “Askush nuk duhet të lihet pas”.

Të fundit