20/05/2024
17.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Ministri i parë shqiptar i punëve të brendshme, a është rast historik që meriton votën e çdo shqiptari?

Maqedonia e Veriut është vend i vogël dhe sado që ne mendojmë se e gjithë bota sillet rreth nesh, megjithatë shumë vendime meren në nivel më të lartë. Si duket në atë nivel është marë edhe vendimi për dukjen e skenës politike pas 8 majit, ku vërehet qartë se miqtë e vendit tonë kanë vlerësuar se më së miri do të jetë që qeverinë e ardhshme ta udhëheqin subjektet e tanishme opozitare, VMRO-DPMNE dhe VLEN, e për të qenë më e fortë qeveria, ajo do të përkrahet edhe nga subjekte tjera, para së gjithash nga ZNAM e Maksim Dimitrievskit.

Deshtëm apo nuk deshtëm ta pranojmë, na pëlqeu apo nuk na pëlqeu, realisht ne nuk kemi fuqinë të ndryshojmë vendimet në nivelet më të larta dhe më mirë është që të jetë ashtu, deri sa të konsolidohemi si demokraci e mirëfilltë. Për shembull, në vitin 2016, por edhe në vitin 2020, vullneti i shqiptarëve nuk ishte edhe aq shumë që BDI të shkojë në opozitë, por vendimi i “qarqeve më të larta” ishte se edhe ca vite partia e Ali Ahmetit duhet të jetë në qeverisje edhe me kusht që të bie sistemi i numërimit të votave, dhe kjo ndodhi.

Jemi në vitin 2024, gjërat kanë ndryshuar!

Tani jemi në vitin 2024 dhe po vërehet se gjërat kanë ndryshuar gjithandej dhe se siç kanë ndryshuar rreth nesh, ka ardhur koha të ndryshojnë edhe tek ne, respektivisht tek shqiptarët e Maqedonisë së Veriut.
Parashtrohet pyetja se pse miqtë tanë vlerësojnë se ka ardhur koha që të ndodhin ndryshime në Maaqedoninë e Veriut në përgjithësi dhe tek shqiptarët në veçanti? Në vijim, përmes shembujve konkretë do të mundohemi t’i japim përgjigje kësaj pyete.

është e ditur se sa më gjatë qëndron një parti në Qeveri, aq më të mëdha janë gjasat që ajo të humbë kontaktin me realitetin, e me këtë rriten gjasat për të bërë gabime.. E kjo si duket ka ndodhur edhe me BDI-në, që deri diku është normale, pasi u ka ndodhur edhe partive më të mëdha evropiane. Por “kupa” megjithatë u mbush me projektin e “Ballkanit të Hapur”.

Besnikëria e BDI-së ndaj këtij projekti ka detyruar miqtë tanë që të ndërprejnë përkrahjen e parezervë ndaj këtij subjekti dhe pse jo, të e dërgojnë edhe në opozitë. Njerëz në kreun e BDI-së bënë vlerësim të gabuar, kurse Ahmeti bëri gabim që u besoi atyre njerëzve plotësisht, duke hedhur poshtë vlerësimet e presidentees kosovvare Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti se ai projekti “Ballkan i Hapur” është në favor të Serbisë dhe Rusisë. Nëse gabimi fillestar mund të falet deri dikun, megjithatë BDI bëri gabimin e dytë kur nuk u distancua ngaky projekt në kohën kur u distancua edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili poashtu ishte një përkrahës i parezervë.

Kur Rama u rreshtua me të gjitha kapacitetet pas Procesit të Berlinit, edhe BDI duhej ta ketë të qartë se Berlini është më i madh dhe më i fuqishëm se Beogradi, kryeqyteti joformal i Ballkanit të Hapur. Integristët lëshuan këtë rast dhe ky qëndrim i tyre në mënyrë të natyrshme solli edhe te ftohja, e më pas edhe tek përplasja e hapur me qeverinë e Kosovës. Albin Kurti kishte pritur një vit e ca me shpresë se BDI jo vetëm do të distancohet si parti, por, falë pozitave të fuqishme në qeveri të ndikojë edhe në distancimin e Maqedonisë së Veriut si shtet nga “Ballkani i Hapur”, gjë që nuk e bëri asnjëherë.

Kjo solli deri te një përplasje të hapur në taborin politik shqiptar në Shkup, pro dhe kundër Ballkanit të Hapur. Beteja arriti kulmin gjatë fushatës parazgjedhore, kurse rezultatet e raundit të parë treguan se forcat pro dhe kundër Ballkanit të Hapur tek votuesit shqiptarë kanë përkrahje të barabartë, gjë që është shqetësuese. Por edhe më shqetësuese është se BDI me mjeshtri të rralë grumbulloi rreth vetes komunitetin turk, rom dhe boshnjak, që bashkë me jugonostalgjikët shqiptarë, pa e tepruar mund të themi se me 90 për qind përkrahin të gjitha iniciativat që asocojnë në ish Jugosllavinë e dominuar nga Serbia, siç duket të jetë edhe Ballkani i Hapur. Prandaj tani kemi situatë kur BDI, përmes “Frontit Evropian” pretendon se ka arritur fitore në raundin e parë, duke pretenduar se fitorja e saj është edhe brenda elektoratit shqiptar, gjë që është lehtë për të pretenduar, por vështirë për ta verifikuar..

Sa më shumë vota të fiton VLEN më 8 maj, aq më e fortë do të jetë pozita e shqiptarëve në Qeverinë e ardhshme!

Sidoqoftë! Tani jemi para rrethit të dytë zgjedhor, në fakt, para datës së zgjedhjeve parlamentare. Siç e thamë më latë, po e përsërisim edhe këtu, se miqtë tanë kanë përcaktuar konturat e qeverisë së ardhshme. Ata kanë mundësi për të shikuar mozaikun më të gjerë dhenë bazë të atij mozaiku sjellin vendime për vendet mike, në mesin e të cilave vende moti kohë është edhe Maqedonia e Veriut, aq më tepër pas anëtarësimit në NATO.
Këto vendime nuk ndryshohen, por mund të përmirësohen. Si mund ta përmirësojnë shqiptarët këtë vendim? Duke i dhënë sa më tepër vota subjektit që do të jetë në qeverinë e ardhshme. Deri sa është e qartë se këtë qeveri do ta udhëheqë një VMRO-DPMNE e fuqishme, është mirë që shqiptarët të fuqizojnë VLEN-in me vota dhe më shumë deputetë, sepse vetëm në atë mënyyrë do t’ia dalë më lehtë në qeverisje me partinë e Hristijan Mickovskit.

Sa më i fuqishëm të dalë koalicioni VLEN pas zgjedhjeve të 8 majit, aq më të mëdha do të jenë gjasat të realizohet ëndërra për të pasur për herë të parë një ministër shqiptar të punëve të brendshme. Ky do të ishte një moment historik, biles edhe më i madh se kryeministri teknik me ingerenca të limituara. Një aparat i tërë që është ndërtuar në bazë të antishqiptarizmit do të udhëhiqet nga një ministër shqiptar. Ky po që është një shans që nuk duhet humbur, sepse do të ndryshonte tërësisht karakterin e këtij institucioni dhe do e kthente në institucion të gjith komuniteteve etnike në vënd, e jo siç është, për dikë “nënë” e për dikë “njerkë”!

Me një BDI të fuqishme në opozitë, sepse informatat flasin se dyert e qeverisë nuk janë të mbyllura për të gjitha partitë e Frontit Evropian që do të thoshte se as Badenteri nuk është i rrezikuar, do të ndodhte revulucioni i shumëpritur tek shqiptarët e vëndit tonë, aq i nevojshëm për të na përgatitur të jemi qytetarë të denjë të Bashkimit Evropian!/Zhurnal

Të fundit