Sot nënshkruam Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Tetovës dhe PAKOMAK, me qëllim avancimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave nga paketimi në territorin e komunës sonë.
Përmes këtij bashkëpunimi do të realizojmë aktivitete konkrete për vendosjen e infrastrukturës së nevojshme për menaxhimin e mbetjeve nga paketimi, duke përfshirë pika grumbulluese dhe pajisje për selektim, si dhe organizimin e fushatave sensibilizuese për ngritjen e vetëdijes qytetare mbi rëndësinë e riciklimit dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor.
Qëllimi ynë është të krijojmë një sistem më efikas, më ekonomik dhe më të qëndrueshëm për grumbullimin selektiv, riciklimin dhe trajtimin e mbeturinave, në përputhje me standardet ligjore dhe politikat moderne mjedisore.
Mbetem i përkushtuar që së bashku me institucionet dhe partnerët tanë, të ndërtojmë një Tetovë më të pastër, më të gjelbër dhe më funksionale për të gjithë qytetarët.








