Mbështetje e re financiare nga Komisioni Evropian ka mbërritur për vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Maqedonia fitoi 65,7 milionë euro, Shqipëria – 49 milionë euro dhe Mali I Zi – 44,2 milionë euro në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje, i njohur si Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor. Mjetet janë paguar pasi Komisioni Evropian vlerësoi se tri vendet kanë zbatuar reforma kyçe në fusha si konkurrueshmëria, inovacioni, arsimi dhe digjitalizimi.
Republika e Maqedonisë ka siguruar 65,7 milionë euro në kuadër të Planit për Rritje për Ballkanin Perëndimor dhe Instrumentit për Reforma dhe Rritje, si rezultat i reformave të realizuara dhe progresit të arritur gjatë periudhës së kaluar, njoftuan nga Kabineti i ministrit për Çështje Evropiane, Bekim Sali.
Nga gjithsej 65,7 milionë euro, 30,6 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të orientohet drejt projekteve zhvillimore dhe investimeve strategjike përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor.
BEKIM SALI – Zv/Kryeministër i Parë
Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor u miratua nga Bashkimi Evropian në vitin 2023 me qëllim të integrimit më të shpejtë ekonomik dhe institucional të vendeve-kandidate në tregun evropian. Vlera totale e programit arrin në gjashtë miliardë euro.
Sipas të dhënave të publikuara, deri më tani Shqipërisë i janë paguar 212,8 milionë euro, Malit të Zi 89,3 milionë euro, ndërsa Maqedonisë 142,1 milionë euro.
Mjetet në Maqedoni janë të destinuara për përmirësimin e arsimit dhe infrastrukturës digjitale në shkolla, ndërsa një pjesë e parave transferohet drejtpërdrejt në buxhetin shtetëror dhe një pjesë përdoret për investime./Tv Koha/







