Në tregjet e vogla, ku mediat nuk kanë strukturë financiare që u mundëson të jenë plotësisht të pavarura nga interesa të ndryshme, ato paraqesin pre të lehtë për interesat politike dhe afariste, thotë përfaqësuesi i OSBE-së për liri të mediave, në një intervistë për MIA-n, Teresa Ribeiro.
Lidhur me vërejtjet në raportin e Reporterëve pa Kufij, se pavarësisht përmirësimit të pozitës së Maqedonisë së Veriut me një kërcim prej 19 vendesh dhe klasifikimin në vendin e 38-të, ende ka një polarizim të fortë politik dhe krijimin e sistemeve paralele mediatike midis qeverisë dhe opozitës, thekson Ribeiro duke vënë në dukje se ky nuk është realitet vetëm në këtë vend.
“Për fat të keq, ky nuk është një realitet që e shohim vetëm në Maqedoninë e Veriut. Përkundrazi, të njëjtin fenomen e shohim në të gjithë rajonin e OSBE-së. Ajo që po shohim është një polarizim i fortë dhe kjo lidhet shumë me zhvillimin e mediave sociale, polarizimin politik që në një farë mënyre forcon tendencat e populizmit jo vetëm në rajonin e OSBE-së, por edhe në të gjithë botën”, thotë Ribeiro.
Përfaqësuesja e OSBE-së për lirinë e medias thekson se tendenca negative e një fushate të vazhdueshme për diskreditimin e gazetarëve është e pranishme kudo, pasi siç thotë ajo, populistët nuk duan kontroll, nuk duan ndërhyrjen e gazetarëve, është një kërcënim për ta.
Në intervistën për MIA-n, Ribeiro ka folur edhe për Konferencën e 9-të për Media në EJL, e cila po mbahet sot dhe nesër në Shkup, duke theksuar se fokusi do të jetë te liria e mediave dhe se si ajo mund të kontribuojë në mbështetjen dhe promovimin e demokracisë. Konferenca dyditore do të debatojë për sigurinë e gazetarëve, çështjet që lidhen me inteligjencën artificiale, kërcënimet në internet për gazetarët, me theks të veçantë tek gratë gazetare, qëndrueshmëria e medias, rregullatorët, shërbimet publike.