18/05/2024
17 C
Tetovo

Të tjera lajme

RMV, nga e marta, buka 450 gramë nuk mund të shitet mbi 33 denarë

Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi nëpërmjet një konference për shtyp njoftoi se prej të martës së ardhshme, gjegjësisht 1 mars, do të ngrihet çmimi i bukës në 33 denarë, njofton Portalb.mk.

“Çmimi i bukës së bardhë dhe gjysmë të bardhë 450 gramë, do të shitet me çmim të caktuar deri në 33 denarë, që do të thotë se nën atë çmim mund të shitet, por mbi atë çmim jo”, tha Bekteshi.

Ai tregoi se disa kompani prodhuese kanë manipuluar me çmimin, gjegjësisht për të shfrytëzuar masën për subvencionimit të rrymës e kanë ulur çmimin, por njëkohësisht e kanë ulur edhe sasinë e produktit.

“Masa për subvencionimin e rrymës elektrike për kompanitë nuk solli rezultatet që priteshin, respektivisht kompanitë nuk e kanë respektuar marrëveshjen me Qeverinë dhe kanë rritur vazhdimisht çmimet e produkteve bazë për konsumatorët”, tha Bekteshi, duke paralajmëruar se do të vijojnë edhe vendime tjera me të cilat do të ngrihen çmimet.

Ndryshe, dje Ministria e Ekonomisë dorëzoi në Qeveri propozim-Vendim për heqjen e masës për energji elektrike të subvencionuar për kompanitë nga industria ushqimore.

Sipas analizave të Ministrisë së Ekonomisë, për një pjesë të madhe të kompanive që kanë shfrytëzuar energjinë elektrike të subvencionuar nga EMV Shitja me çmim prej 80 euro për megavat orë, nuk ka ulje të çmimeve të produkteve ushqimore bazë.

“Në bazë të të dhënave nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, propozimi i Ministrisë së Ekonomisë drejtuar Qeverisë është që të shfuqizohet masa për të gjitha kompanitë nga sektori ushqimor. Masa e subvencionuar e energjisë elektrike prej 80 euro për megavat/orë për kompanitë që prodhojnë produkte ushqimore bazë ishte e vlefshme nga 1 dhjetori 2022 deri më 30 prill 2023. Masa dedikohej për kompanitë që prodhojnë produkte – vaj ushqimor, bukë dhe produkte buke, miell, qumësht dhe produkte qumështi, industrinë e mishit dhe shpendëve. Qëllimi i kësaj mase ishte që kompanitë nga sektori ushqimor të ulin çmimet e produkteve ushqimore bazë”, thanë nga Ministria e Ekonomisë.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot deklaroi se qasja e preferuar si pas tij është që pa subvencionim të çmimit të energjisë elektrike duhet të mbeten vetëm ato kompani nga sektori ushqimor që nuk i kanë ulur çmimet e produkteve ushqimore bazë dhe jo të gjitha kompanitë nga ky sektor.

Ministri i Ekonomisë, Bekteshi paraprakisht tha se të dhënat paraprake nga raporti i Inspektoratit të Tregut tregojnë se një pjesë e konsiderueshme e kompanive që kanë shfrytëzuar masën për energjinë elektrike të subvencionuar nuk kanë respektuar marrëveshjen mes Qeverisë dhe Odave ekonomike.

Mjetet për kompanitë, siç tha ai, do të ripërdoren në ndihmë të kategorive të rrezikuara të qytetarëve.

Të fundit