Shkëndija ka regjistruar një tjetër fitore bindëse si mysafir kundër Tikveshit, duke vazhduar “betejën” me Vardarin për të mbrojtur titullin e Kampionit. Fitore të thellë regjistroi edhe Sileksi kundër AP Brera. Java e 28-të mbyllet me dy ndeshjet që zhvillohen nesër.
Shkëndija regjistroi një fitore shumë të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur Tikveshin me rezultatin 4:1.
Me këto tre pikë, kuqezinjtë dalin përkohësisht në krye të renditjes, duke ushtruar presion ndaj Vardarit, krahas kësaj “kuqezinjtë” po e përmirësojnë edhe golaverazhin.
Për Shkëndijën ishte fitorja e 21-të sezonale dhe ka të tubuar 67 pikë. Sipas trajnerit Beqiri, ekipi që lufton për titull, gjithmonë duhet të jetë i motivuar.
“Ne patëm disa probleme para fillimit të ndeshjes me disa futbollistë të cilët shprehën probleme shëndetësore, ku pastaj ishim të detyruar që gjatë përfundimit të pjesës së parë të ndërrojmë për arsye shëndetësore Drilon Islamin. Edhe kishte karton të verdhë, pastaj edhe pjesa e çështjes shëndetësore ndikoi dhe humbëm disi balancën në mesfushë. Por e rëndësishme është që shënuam, e rëndësishme është që në momente të veçanta treguam personalitet dhe besoj që duhet të vazhdojmë në këtë hap edhe në ndeshjet e tjera.” deklaroi trajneri Jeton Beqiri
Fitore të thellë dje ka regjistruar edhe skuadra e Sileksit e cila në Kratovë demoloi ekipin AP Brera, duke i bërë një shërbim Arsimit, në “betejat” për mbijetesën në ligë.
Java e 28-të mbyllet nesër me ndeshjet Rabotniçki – Arsimi dhe Bashkimi – Struga Trim Lum.
Shaban Sinani







