Të tjera lajme

SHKËNDIJA ZHGËNJEU TIFOZËT – VAZHDON “MALLKIMI” I FINALEVE TË KUPËS!

Sileksi mundi  Shkëndijën në  finale  e  Kupës që mbrëmë u zhvilluan në Shkup. Kupën ekipit fitues ia ndau kryetari i FFM-s, Masar Omeragiq,  Shkëndija  nuk mori  pjesë në ceremoinin e ndarjes së medaljeve.

 Pasditen e së mërkurës dhjetëra autobusë u nisën nga Tetova për në Shkup, për të mbështetur klubin e zemrës.

Tifo-grupi “Ballistët” kishte bërë parapërgatitjet e duhura për paraqitje dinjitoze në stadiumin e Shkupit.

I gjithë ky entuziazëm kishte aromën e fitores, aromën e kurorëzimit me një trofe të sezonit historik në kompeticionet evropiane.

 Por, u përsërit historia. Fantazmat e ndeshjeve finale me Makedonija Gj.P, Teteksin, Pelisterin sërish dolën në sipërfaqe. Futbolldashësit tetovar sërish mbetën të zhgënjyer, të mllefosur dhe të indinjuar.

 Edhe një humbje në finale të Kupës. Sileksi me plot meritë fitoi ndeshjen finale duke lënë një plagë të hidhur tek tifozët dhe futbolldashësit tetovar dhe jo vetëm.

 Trajneri Jeton Beqiri pas ndeshjes u arsyetua me mungesat e futbollistëve titullar dhe se ndeshja u vendos nga  një gabim i mbrojtjes.

 Mendoj që finalen e vendosi një gabim i joni në mbrojtje, ishte  si një lloj  dhurate  në momentet  më të mira për ne. Dhe pas asaj shumë pak lojë pati dhe  vazhdimet që duheshe të jetë normale ishin shumë të pakta  dhe  normalisht është një keqardhje  për finalen e sontme’’

Pas ndeshjes përmes një komunikate, KF Shkëndija pranoi përgjegjësinë për zhgënjimin. Sipas tyre, ky dështim kërkon reflektim. Teksa pranojnë gabime në radhët e tyre theksojnë se sfida kryesore tashmë mbetet dalja nga kjo situatë dhe përmirësimi i mungesave evidente që janë shfaqur.

Por, Shkëndija e Tetovës nuk mori medaljet si ekip humbës në finale të Kupës. Gjest ky që ka shkaktuar reagime të ashpra në futbollin e Maqedonisë së Veriut.

“Kuqezinjtë” insistojnë se në asnjë moment nuk kanë refuzuar pranimin e medaljeve dhe as nuk kanë pasur qëllim të mosrespektimit të organizatorit apo ekipit kundërshtar.

 KF SHKËNDIJA

 Pas përfundimit të ndeshjes, futbollistët tanë shkuan tek tifozëria për të falënderuar për mbështetjen gjatë 90 minutave dhe njëkohësisht për të kërkuar falje për zhgënjimin që u shkaktua me disfatën e sotme. Sigurisht, pas epilogut të finales, tifozët me të drejtë ishin të zhgënjyer. Për shkak të emocioneve, zhurmës në stadium dhe situatës së krijuar në ato momente, futbollistët nuk e kanë dëgjuar thirrjen për ceremoninë e ndarjes së medaljeve. Klubi kërkoi pak kohë shtesë nga organizatorët me qëllim që skuadra të qetësonte situatën dhe të rikthehej në fushë për ceremoninë zyrtare.

 Disfatës së Shkëndisë, “sherrin” ia pa edhe skuadra shqiptare Struga Trim Lum e cila nuk u kualifikua në garat evropiane.  

Vlen të përmenden edhe komentet e tifozëve nëpër rrjetet sociale të KF “Shkëndija”. Drejtuesit e skuadrës, shtabi teknik, futbollistët kanë qenë të “masakruar” me komente negative. Tifozët kërkojnë përgjegjësi dhe reflektim kurse emëruesi i përbashkët i reagimeve të tifozerisë është se “Ecologu” nuk e meriton një përmbyllje të këtillë të sezonit pavarësisht suksesit historik në garat evropiane.

Por, jo vetëm kaq! Krahas humbjes së finales së Kupës, FFM-ja ka paralajmëruar se Shkëndija mund të përballet me dënime rigoroze, sic thonë nga ‘Shtëpia e Futbollit” për shkak të fishkëllimit të himnit, fyerjeve në adresë të kreut të FFM-së por edhe mungesës në ceremoninë e ndarjes së medaleve./Tv Koha/

Të fundit