25/06/2024
23.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Të korrat përgjysmohen, qepët kalben në fushat e Banjicës

Vera e nxehtë dhe reshjet e dendura të shtatorit përgjysmuan prodhimin e qepës nga korrja e sivjetshme në rajonin e Gostivarit. Fushat këtë vit nuk do të japin të ardhurat e dëshiruara për punën dhe paratë e investuara. Në markete do të gjeni gjysmën e sasisë së qepëve. Qepa e Banjicës është shumë e vlerësuar dhe e kërkuar në Pollog e më gjerë dhe ka një traditë shumëvjeçare kultivimi.

MIA-ja ishte në terren në fushat e fshatit Banjica e Epërme dhe e Poshtme. Banjicasit, të paktët që ende merren me kopshtari, në fillim të tetorit grrumbullonin qepën. Në pamje të parë, imazhi është mahnitës, i pazakontë. Sa janë grumbulluar e lidhur në tufa, po aq kanë mbetur të shpërndara nëpër fushë.

“Qepët e forta dhe të shëndetshme po i lidhim dhe do t’i çojmë këto ditë në shtëpi nëpër magazina. Ajo që ka mbetur do të kalbet dhe nuk është e përdorshme. Nëse nuk e ndajmë dhe nuk e mbledhim do të kalbet në shtëpi”, shpjegon Xhezair Bajrami nga Banjica e Poshtme.

Dielli e përvëloi, shirat e mbytën

Kushtet klimatike që mbizotëruan këtë vit nuk u reflektuan në mënyrën më të favorshme, sidomos këtë verë. Temperaturat e larta kanë ngadalësuar rritjen e kësaj kulture kopshtare. Xhezair Bajrami (60), bujk nga Banjica e Poshtme, e di më së miri se çfarë të presë si kthim, duke pasur parasysh se gjithë jetën është marrë me bujqësi.

“Jemi drejt fundit të grumbullimit dhe sipas asaj që kemi nxjerrë deri tani nuk pres më shumë se 12 tonë. Nga e njëjta fushë vitin e kaluar kemi korrur afër 20 tonë qepë”, thotë Xhezairi dhe sqaron se qepa nuk i duron dot temperaturat e larta mbi 35 gradë Celsius.

Dëmin nga qepa e nxjerrin nga domatet dhe fasulet

Në kërkim të një fitimi më të mirë, disa bujq nga Banjica nuk mbollën qepë këtë vit. Provuan kultura të tjera perimesh. Komshiu i tij me arë, Naxhi Zendeli, ka nisur këto ditë të mbledhë fasulet. Por as ai nuk do të përfitojë shumë. Na tregon bishtaja me kokërr të imët, por pohon se është më cilësor se ai i importuar. Ai shpreson se çmimi do të arrijë në 300 denarë për kilogram. Me atë çmim, ai mund të presë fitim.

“Këtë vit vendosa të mbjell më pak qepë, sepse nuk është fitimprurëse. Kështu thashë do ta provoj me fasule. Pres rreth 600 kilogramë nga kjo fushë, por nuk pritet dhe nëse dalin 200 do të jetë mirë”, thotë 69-vjeçari Naxhi.

Pjesa e vështirë e punës ka përfunduar për ta këtë vit. Tani ata presin njëri-tjetrin të mbushur me pasiguri, se si të ruajnë cilësinë e të korrave dhe ta shesin atë me një çmim më të mirë. Kështu në pranverë do të fillojnë me plehërim dhe do të lërojnë sërish fushat.

Të fundit