17/06/2024
17.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

VIDEO: Tërbohen zjarret në Greqi, 1200 fëmijë evakuohen nga kampi

Zjarrfikësit në Greqi vijojnë për të dytën ditë luftën kundër zjarrit në katër fronte.

Më shumë se një mijë fëmijë janë evakuuar nga një kamp veror, pasi zjarret që shpërthyen dje janë ende në vazhdim.

Ekipet e zjarrfikëses dhe të shpëtimit, si dhe ushtria në Greqi, po përpiqen të lokalizojnë zjarret që kanë rënë në disa lokacione, në Atikën lindore, Kaparellë, Lutraki dhe Dervenoria, raporton “Kathimerini”.

Situata është më e vështira në Dervenoria, ku terreni i paarritshëm me erë të fortë dhe kushtet ekstreme të motit që priten edhe sot nuk  mundësojnë kushtet , sepse është një pyll i dendur që nxit përhapjen e zjarrit, shkruajnë gazetat greke

Në qytetin bregdetar të Loutraki, në perëndim të Athinës, 1200 fëmijë u evakuuan ndërsa zjarri iu afrua kampit të tyre.

Policia ka arrestuar një person që dyshohet se ka ndezur një tjetër zjarr në Kouvaras të Atikës, në juglindje të kryeqytetit grek.

Zjarret janë ndezur më tej nga erërat e forta dhe qindra zjarrfikës po përpiqen të ndalojnë përhapjen e zjarrit.

Dhjetra njerëz u desh të evakuoheshin nga shtëpitë e tyre në zonën e gjerë nga ekuipazhet e emergjencës dhe qeveria greke tha se ata shtëpitë e të cilëve u prekën nga zjarret kishin të drejtë të akomodoheshin në hotelet lokale dhe do të kompensoheshin më vonë.

Zjarret kërcënuan trafikun në disa zona dhe policia u detyrua të mbyllte pjesë të autostradës kombëtare Athinë-Korinth.

Janë ndërprerë edhe linja të caktuara të qarkullimit hekurudhor.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i cili aktualisht ndodhet në Bruksel për samitin, tha se vendi po bënte gjithçka që ishte e mundur për të ndihmuar.

“Sot është në thelb dita e parë e vështirë e kësaj vere. Nuk ka dyshim se do të vijojnë më shumë. “Zjarret në pyje kanë ndodhur dhe do të vazhdojnë të ndodhin”, tha Mitsotakis.

Sipas parashikimeve, vala e fortë e të nxehtit që ka përfshirë rajonin nuk tregon shenja zbutjeje dhe Shërbimi Meteorologjik grek ka paralajmëruar se rreziku i zjarreve të reja mbetet i lartë./a1on./

Të fundit