13/04/2024
19.6 C
Tetovo

Të tjera lajme

Von Cramon kërkon hetim ndërkombëtar për zgjedhjet në Serbi

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se zgjedhjet në Serbi janë përcjellë me parregullsi para dhe gjatë ditës së votimeve duke shtuar se nevojitet hetim ndërkombëtar.

Në një postim në Twitter, ajo ka thënë se ka qenë anëtare e delegacionit për vëzhgimin e procesit zgjedhor në Serbi.

Von Cramon ka shkruar se ky proces u zhvillua në kushte të pabarabarta mes partisë e cila ishte në pushtet dhe opozitës, duke deklaruar se kishte keqpërdorim të burimeve administrative, blerje të votave dhe shkelje të fshehtësisë së votës.

“Ne dëshmuam raste të sjelljes së organizuar të votuesve nga Republika Srpska dhe frikësimit të votuesve. Ne prisnim absolutisht standarde më të larta demokratike nga një vend kandidat për anëtarësim në BE. Nevojitet një mbikëqyrje ndërkombëtare dhe një hetim i plotë”, ka shkruar ajo.

Von Cramon ka deklaruar se Parlamenti Evropian është i gatshëm të ndërmjetësojë mes partisë në pushtet dhe opozitës në Beograd për të siguruar dialogun paqësor dhe demokratik dhe për të ulur tensionet.

Nga zgjedhjet në Serbi, mandatin e deputetit e ka marrë Shaip Kamberi, i cili sërish është i vetmi deputet shqiptar në parlamentin serb.

Qytetarët nga Medvegja, Bujanoci e Preshevë, që prej vitesh jetojnë në Kosovë, janë ankuar se u është pamundësuar pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës në Serbi, si pasojë e pasivizimit të adresave dhe marrjes së dokumentacionit.

Edhe në një raport të publikuar javë më parë në Beograd nga Iniciativa e Rinisë për të Drejtat e Njeriut, është bërë e ditur se rreth 3 mijë e 500 shqiptarë të Luginës së Preshevës janë fshirë nga listat e votimit në Serbi. Aty u theksua se pasivizimi është përdorur si instrument politik për të ndryshuar strukturën demografike dhe etnike të jugut të Serbisë.

Të fundit