Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev sot edhe njëherë e hodhi poshtë si të papranueshme idenë e BDI-së për kryeministër shqiptar. Me koncept të këtillë, siç vlerësoi, nacional – populist, BDI do të humbë dhe do të kalojë në opozitë.
Sipas Zaevit, pas 17 viteve në pushtet, është shëndetshëm për shtetin që BDI të kalojë në opozitë. Por, kjo është shëndetshëm edhe për vetë partinë, sepse kur është në opozitë, tha, do të përmirësohet dhe reformohet.
Duke u përgjigjur në pyetje të gazetarëve pas konferencës për shtyp në shtabin partiak, Zaev theksoi se askush nuk duhet të pranojë ultimatume, posaçërisht jo tani, kur për herë të parë është formuar një koalicion multietnik si garancë me e fuqishme për konceptin qytetar.
Njëherit i porositi BDI-në dhe VMRO-DPMNE-në të mundohen për të fituar vota maqedonase, shqiptare, boshnjake, turke,… e madje atëherë të kandidojnë kryeministër.
“Kjo që sot plasohet nga BDI-ja, tashmë e komentova dhe sërish do të them, është vetëm koncept nacional – populist dhe asgjë tjetër dhe besoj do të humbë BDI-ja për këtë, sepse qytetarët duhet t’i shohim si kandidatë – duke filluar prej meje e të gjithë më tutje, të barabartë si cilësorë, të përkushtuar, njerëz të cilët ndërtuan kredibilitetin e tyre, të cilët janë të gatshëm katër vitet e ardhshme tërësisht t’ia përkushtojnë shërbimit të qytetarëve, të ndershëm dhe nga ai aspekt të bisedohet për secilin funksion, kryeministër, kryetarë komunash, drejtorë,…”, nënvizoi Zaev.
Sipas tij, VMRO-DPMNE dhe BDI mbeten së bashku në opozitë.
“BDI i ndihmon vetes që me narrativën e këtillë të kalojë në opozitë, ndërkaq është edhe shëndetshëm pas 17 viteve në pushtet të kalojë në opozitë, është shëlndetshëm edhe për shtetin, por edhe për BDI-në. Në opozitë partitë përmirësohen, reformohen. Gjithsesi, ky është qëndrimi ynë, por atë në fund do ta thonë qytetarët, në zgjedhje”, përmendi Zaev.
Zaev përkujtoi se ai dhe partia e tij janë themelues të konceptit “Një shoqëri për të gjithë”.
“Të gjithëve duhet t’u bëhet e qartë se unë veten time dhe LSDM-në i konsideroj si themelues të konceptit ‘Një shoqëri për të gjithë’. Treguam se jemi të shkarkuar nga përkatësi etnike e qytetarëve. Ka njerëz të mirë dhe të këqinj, cilësorë he të aftë dhe jocilësorë dhe të paaftë të cilët nuk mund t’i nominoni në cilin do funksion. Ne sot në LSDM kemi nënkryetarë, anëtarë të këshillave qendror dhe ekzekutiv, ministra, deputetë, drejtorë nga të gjitha bashkësitë etnike dhe kjo është bukuria e Maqedonisë multietnike”, tha Lideri i LSDM-së dhe shtoi se kryeministri i ardhshëm do të jetë nga LSDM.
I sollëm vendimet. Unë jam mandatari i ardhshëm i qeverisë”, potencoi Zaev. ab/