Zjarrëfikësit e Tetovës thonë se pas rasteve të rënda me të cilat përballën në fatkeqësi të ndryshme, kanë nevojë për konsultime me psikolog. Sipas komandantit të njësisë territoriale kundër zjarrit në Tetovë, Avni Ameti ka zjarrëfikës që pas intervenimeve në raste me fatalitete të ndryshme, ka zjarrëfikës që përjetojnë trauma të ndryshme dhe shfaqin nevoja për psikolog.
Ameti thotë se rastet më të shpeshta që paraqiten tek zjarrëfikësit janë problemet me gjumin dhe depresionin. Ai shton se kanë nevojë për punësimin e një psikologu në njësitin e tyre i cili do të qëndronte permanent aty për të trajtuar rastet që shfaqin nevojë.
Ameti bëri me dije se kanë parashtruar kërkesë deri te Qendra për Menaxhim me Kriza për sigurimin e një psikologu por se kërkesa e tyre ka hasur në vesh të shurdhër.
Nga ana tjetër kreu i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se do të gjejnë zgjidhje për këtë nevojë të zjarfikësve.
Zjarrëfikësit përballen me raste të rënda, disa herë edhe tragjike. Përveç rasteve të zjarrit, zjarrëfikësit janë gjithmonë në krye të detyrës edhe në raste të aksidenteve të rënda të trafikut dhe fatkeqësive të ndryshme natyrore.







