26/04/2024
13.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Bislimoski për MIA-n: Çmimi i energjisë elektrike nuk do të reflektojë në rritjen e produkteve tjera

Rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk do të ndikojë ndaj rritjes së produkteve tjera sepse 90 për qind e konsumatorëve industrialë dhe komercialë blejnë energji elektrike në treg të lirë. Do të thotë vendimi ynë aspak nuk reflekton tek këta konsumatorë dhe nuk mund të bëhet fjalë për kurrfarë spirale inflacioniste, e as për rritjen e çmimeve të prodhimeve të tyre, ka thënë në intervistën për MIA-n, kryetari i Komisionit rregullator për energjetikë, Marko Bislimoski.

Në mënyrë shtesë, siç thekson, në tregun e lirë çmimi i energjisë elektrike ka trend të uljes prej rreth 8 deri në 9 për qind në krahasim me vitin paraprak që do të thotë se në asnjë mënyrë nuk do t’u rriten shpenzimet konsumatorëve më të mëdhenj, ndërsa me vetë këtë të rriten edhe çmimet e prodhimeve të tyre.

“E kuptoj revoltin e qytetarëve dhe se koha është në krizë. Prandaj edhe nuk e heqim tarifën e lirë të rrymës e cila është vetëm tek ne. Kërkesat e kompanive energjetike, hollësisht i analizuam dhe kërkuam të dhëna shtesë sepse nëse do t’i pranonim kërkesat, atëherë çmimi do të rritej për 25 për qind”, theksoi Bislimoski.

Thekson se vendimi për rritjen e çmimit të energjisë elektrike është sjell në bazë të analizave të hollësishme dhe të dhënave shtesë të marra nga kompanitë energjetike. Si trup rregullator, thotë, nuk mund të ndikojnë ndaj përqindjes së caktuar nga elementet që merren parasysh gjatë përcaktimit të çmimit të energjisë elektrike.

“Përcaktojmë çmime në bazë të metodologjisë dhe në disa nga elementet nuk mund të ndikojmë sepse nuk varen nga ne. Nga viti 2019 më nuk përcaktojmë çmim për ELEM-in gjegjësisht ESM-në dhe ata vetë përcaktojnë dhe paraqiten në trendin e EVN HOUM. Kjo arrin 42,4 për qind nga shpenzimet e përgjithshme. Ka obligim ligjor që energjia elektrike e prodhuar nga prodhuesit e autorizuar të blihet dhe ai shpenzim transferohet tek furnizuesit tjerë. Ai shpenzim arrin 7,19 për qind. Gjithashtu ka edhe diferencë për furnizuesin universal i cili u konfirmua në bazë të trendit që e shpalli Qeveria dhe ajo diferencë arrin 11,5 për qind dhe ne duhet ta zbatojmë. Do të thotë në 59,74 për qind nuk mund të ndikojmë”, sqaron Bislimoski.

Thotë se shpenzimet e kompanive energjetike janë reduktuar në minimum që të mund të sigurojnë stabilitet në sistemin energjetik, që të tejkalohet hendeku nga rritja e çmimit të energjisë elektrike, KRRE propozon, nëse ka mundësi, të ulet TVSH-ja për energji elektrike sipas shembullit të ngrohjes qendrore dhe ujit derisa zgjatë kriza e koronës dhe të rritet shpenzimi për varfërinë sociale.

“Nëse ELEM gjegjësisht ESM dhe MEPSO thonë se duan të ulet energjia elektrike dhe dorëzojnë të dhëna të tjera, atëherë KRRE-ja në afat prej tre ditëve ka mundësi t’i ndryshojë vendimet e veta, por përsëris se bëhet fjalë për shpenzime të cilat KRRE-ja i reduktoi në minimum”, thotë Bislimoski.

Sipas tij, me këto çmime të cilat janë miratuar, kompanitë energjetike do të punojnë në zero. gjegjësisht vetëm për ta kaluar vitin. Më saktë, ekstra të ardhurat që I ka marrë ELEM nga shitja e tepricave, sivjet nuk i ka gjegjësisht kompania ka më pak të ardhura se 17 milionë euro. Nga ana tjetër edhe MEPSO ka të ardhura më të vogla se transitimi i energjisë elektrike nëpër shtetin tone prej rreth 11 milionë euro.

“Do të thotë në sistem mungojnë këto para. Nuk flasim se do të realizohen përfitime, por ta përfundojnë vitin për të garantuar siguri dhe stabilitet në sistemin me furnizim me energji elektrike”, thotë Bislimoski.

Sqaron se në shpenzimet e kompanive energjetike merren parasysh edhe pagat e të punësuarve, por thekson se nga ky vendim më i ri nuk është marrë parasysh asnjë punësim i ri në MEPSO dhe EVN.

“Është llogaritur edhe situata me numrin e të punësuarve të cilin kompanitë e kanë pasur në vitin 2018. Gjithashtu, shpenzimi për pagën të cilin e paguajnë, nuk është njohur në tërësi, por e njohim si page mesatare të paguar në sektorin e energjetikës në bazë të të dhënave nga Enti shtetëror për statistikë. Do të thotë asgjë nuk është paushall dhe e paramenduar siç pohojnë disa ekspertë kuazi në opinion të cilët nuk kanë asnjë ditë përvojë pune në sektorin energjetik”, potencoi Bislimoski.

Në pajtim me metodologjinë e KRRE-së garantohet edhe përfitim i caktuar për kompanitë energjetike, por gjithçka që është mbi atë limit, sipas Bislimoskit, hiqet.

“MEPSO-s i hiqen 13.25 milionë euro ekstra të ardhura të cilat i ka realizuar, ndërsa EVN HOUM 4,5 milionë euro. Do të thotë në asnjë mënyrë nuk lejojmë që kompanitë të realizojnë përfitim jashtë kornizave të lejuara”, thotë Bislimoski për MIA-n.

Biljana Anastasova-Kostiq

foto arkivi i MIA-s

Të fundit