26/04/2024
7.9 C
Tetovo

Të tjera lajme

Dijana Toska dhe Adelina Marku: Beteja e ashpër e burrave zbeh zërin e grave

Përfaqësimi simbolik i grave në pozicione udhëheqëse, në ekzekutiv dhe pushtetin lokal vjen si pasojë e mosveprimit të saj pas futjes në politikë. Opinionistja Dijana Toska thotë se gratë janë të heshtura, s’kanë guxim për të kërkuar të drejtat e garantuara dhe trajtuar shumë çështje sikurse shoqërore, nacionale dhe gjinore për të ngritur pozitën e saj dhe për t’u trajtuar barabartë, andaj edhe diskriminohen brenda partisë.

“Si mundet mua dikush të më trajtojë të barabartë nëse unë hesht, nëse unë jam pa ndërprerë në hije, nëse unë jam memece, nëse unë nuk them mjaft, unë jam vetëm makineria e cila vetëm ngrit dy gishta dhe pajtohet çka tha kryetari me dy-tre burra, shokë të tij që kanë krijuar partinë. Nëse unë dua ndryshimin atëherë unë duhet të rebelohem në kuptimin shumë pozitiv brenda asaj partie.”,- tha opinionistja, Dijana Toska.

Por, Adelina Marku thotë se zëri i politikaneve zbehet si pasojë e betejës së ashpër të burrave. “Zbehja me gjasë ndodh nga vrazhdësia, një betejë e ashpër e gjinisë mashkullore brenda në parti, e ashpër në të gjitha format e paraqitjes shoviniste të gjuhës së rëndë mashkullore, të sharjeve, të gjuhës mashkullore fizike. Gratë në këtë cikël të këtyre shovinizmave të tilla zhduken, heshtin, zmbrapsen.”,- u shpreh opinionistja, Adelina Marku.

Beteja e tillë, sipas opinionistit, Sefer Selimi, do të vazhdojë, por për ta ndryshuar gradualisht situatën, nevojitet edukim politik se politikbërja nuk është profesion vetëm i burrave.

“Problemi kryesor në këto përmasa do të vazhdojë të jetë prezent, për aq kohë ne do ta quajmë problem i grave, për aq kohë që nuk e kthejmë medaljen që ta trajtojmë si problem shoqëror dhe edukimin politik të mos ta bëjmë vetëm për gratë, por ta fillojmë ta bëjmë nga shtëpia emancipimin e burrit për të qenë i hapur ndaj këtyre koncepteve.”,- theksoi opinionisti, Sefer Selimi.

Sipas panelistëve, kyçja e femrës në politikë duhet të jetë nëpërmjet veprimit të saj konkret me aktivitete të ndryshme të cilat trajtojnë problemet faktike, e jo vetëm për të arritur 40% e përfaqësimit brenda partisë. (MTV2)

Të fundit