27/04/2024
7.7 C
Tetovo

Të tjera lajme

Diplomacia/ Maqedonia e Veriut pozicionohet në anën e duhur

Pushtimin rus të Ukrainës bota e civilizuar e ka quajtur “brutal” dhe si pasojë ka renditur fillimisht sanksione ekonomike për ta dobësuar agresorin. Me invazionin rus ndaj Ukrainës po shkelen në mënyrë flagrante ligji ndërkombëtar dhe Karta e OKB-së. Aktet jo njerëzore në Ukrainë bota i ka dënuar, duke kërkuar paqen e menjëhershme.

Edhe përkundër agresionit të papranueshëm, Rusia ka shpallur një listë armiqsh, përfshirë gjithë vendet që u janë bashkëngjitur sanksioneve kundër saj.

Në këtë listë prej “armiqve” të Rusisë gjendet edhe Maqedonia e Veriut. Pyetja e shpeshtë që shtrohet në opinion, apo iu drejtohet njohësve të çështjeve politike krijon përshtypjen se opinioni maqedonas nuk do prishjen me Rusinë edhe kur e gjithë bota sheh dy palë në një luftë dhe fare qartë përcaktohet agresori dhe viktima.

Çka do të thotë armiqësia me Rusinë? U pyet në një panel diskutimi profesori universitar Lubomir Fërçkovski.

“Nuk e di çka do te thotë saktë, por e di se jemi në anën e duhur, jemi në shoqëri të mirë. Dhe kjo nuk është keq. Mund të ketë pikëpamje të ndryshme në përgjithësi, siç ka në shumë vende evropiane.

Veprim i logjikshëm, i bashkërenditur me qëndrimin e përbashkët të aleatët e BE-së. Kështu e ka vlerësuar armiqësinë e Maqedonisë së Veriut dhe Rusisë, analisti Petar Arsovski.

“Përgjigja jonë duhet të jetë në sinkronizim me aleatët e tjerë. Këtu nuk kemi shumë hapësirë për manovrim, aq më tepër që gjeostrategjikisht kemi vendosur, dhe sipas opinionit publik, që është 80% për BE-në dhe NATO-n, dhe pas përcaktimit tonë gjeostrategjik që do të marrim atë rrugë. Dhe kjo nuk është çështje individuale, ose të ndonjë vendimi autonom, por është një drejtim që ne e përcaktojmë së bashku me aleatët e tjerë”, tha Petar Arsovski, analist politik.

Lista e vendeve të konsideruara armiqësore përfshin Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, shtetet e BE-së, Mbretërinë e Bashkuar (përfshirë Jersey, Anguilla, Ishujt e Virgjër Britanikë, Gjibraltar), Ukrainën, Malin e Zi, Zvicrën, Andorrën, Islandën, Lihtenshtajnin, Monakon, Norvegjinë, San Marino, Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë, Mikronezinë, Zelandën e Re, Singaporin dhe Tajvanin.

Në një intervistë për TV Sitel, Ambasadori rus në RMV, Sergei Bazdnikin theksoi se të gjitha mjetet në dispozicion përdoren për të diskredituar udhëheqjen e Rusisë dhe forcat e saj të armatosura. “Kundërshtarët tanë nuk hezitojnë të publikojnë lajme të rreme për veprimet e trupave ruse, duke përfshirë bombardimin e supozuar të shënjestruar të lagjeve të banuara”, tha Bazdnikin.

Sipas tij, lista e vendeve armiqësore të Rusisë, përfshirë Maqedoninë, është reagim ndaj veprimit të vendeve të tjera ndaj saj.

“Deri më tani ndaj Rusisë janë zbatuar 5530 masa kufizuese dhe për fat të keq, atyre u është bashkuar edhe qeveria e RMV-së. Ne e karakterizojmë dërgimin e armëve në Ukrainë si një rrezik të pajustifikuar për sigurinë e trupave ruse. Pajisjet mjekësore janë një histori tjetër, por ne po nisemi nga një deklaratë e qeverisë”, tha Ambasadori rus, duke shtuar se ky ishte vetëm fillimi dhe se masa të tjera hakmarrëse nga Moska janë të mundshme.

Ai shtoi se edhe pse kërkoi takim me Ministrin e Jashtëm Bujar Osmani, për atë që ai e quajti “operacion rus në Ukrainë”, ai nuk kishte kontakte deri më 7 mars, kur u thirr në MPJ dhe iu dha notë verbale.

Ambasadori rus merr hapësirën mediatike për të shpalosur se do të pasojnë masa tjera hakmarrëse nga Moska për vendet që gjenden në listën e vendeve armike të Federatës ruse. Dhe kjo nuk është ironi, por realitet./Zhurnal

Të fundit