11/10/2024
16.8 C
Tetovo

Të tjera lajme

Komuna e Tetovës premton zgjidhje për mirëmbajtjen e kanalizimeve fekale dhe atmosferike që të mos ketë dëme të mëdha gjatë reshjeve

Investimet joadekuate në kanalizimet atmosferike dhe fekale sipas kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit ishin një nga arsyet kryesore për dëmet e shkaktuara te qytetarët nga vërshimet e fundit në Tetovë. Për këtë, ai premtoi se në të ardhmen do të punojnë në vazhdimësi që kanalizimet të pastrohen dhe mos të shkaktojnë dëme te qytetarët. Kurse nga Komuna dje për Portalb.mk njoftuan se janë duke e plotësuar prokurimin publik për mirëmbajtjen dhe pastrimin e kanalizimeve e të pusetave.

Që rastet e tilla të mos përsëriten ku kanalizimet dolën mbi sipërfaqen e tokës, Kasami njoftoi se ka dhënë urdhër që në kuadër të komunës të bëhet furnizim publik për sigurim të mjeteve shtesë me kapcitetet e kompanive private për të hapur dhe për të mirëmbajtur rrjetin e kanalizimit të ujërave atmosferik dhe fekale.

“Kemi informatë që kompanitë private kanë mjete, kamionë të tillë që merren me pastrimin dhe hapjen e kanaleve dhe të njëjtët me kapacitetet e komunës që kemi do ti angazhojmë edhe këto kompani private që në periudhën që vjen të jemi sa më të përgatitur që mos dhashtë zoti që të kemi situata të reshjeve”, tha Kasami me 3 qershor.

Dje të pyetur nga Portalb.mk se çfarë konkretisht planifikohet të bëhet në këtë drejtim dhe si do të bëhet mirëmbajtja e rrjeteve të kanalizimit fekal dhe atmosferik, nga Zyra për informim në Komunën e Tetovës u përgjigjën si vijon:

“Komuna e Tetovës, lidhur me nevojën e mirëmbajtjes së rrjetit të kanalizimeve të ujërave atmosferik dhe fekal ka bërë intervenim në planin e veprimit, duke e plotësuar prokurimin publik për mirëmbajtjen dhe pastrimin e kanalizimeve e të pusetave. Këto ditë i njëjti pritet edhe të shpallet. Ndërkaq, pastrimi i kanalizimeve ka vazhduar në vazhdimësi me të gjitha mjetet që i ka në dispozicion NPK- Tetova-Tetovë”

Larja dhe dezinfektimi i rrugëve në Tetovë u bë nga ana e ekipeve të NPK-së së bashku me Njësitin e Zjarrfikësve me vendim të shtabit të krizës së Komunës.

Nga vërshimet e zjarrit në Tetovë, sipas informatës të fundit të Komunës së Tetovës, janë paraqitur më shumë se 130 raste ku qytetarët janë dëmtuar, në mesin e të cilave 97 shtëpi private ndërsa pjesa tjetër është infrastrukturë- objekte publike dhe toka bujqësore. Në disa pjesë të qytetit kishte dhe raportime për ndërprerje të rrymës elektrike.

Përndryshe, dje Shtabi i Кrizës në Komunën e Tetovës pas mbledhjes së tyre njoftoi se janë evidentuar të gjitha kërkesat të adresuara në komunë, janë procesuar dhe identifikuar në terren, si dhe janë dërguar shkresa zyrtare deri tek organet kompetente shtetërore për të bërë vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit. Nga komuna gjithashtu njoftuan se NPK bashkë me NJTKZ kanë bërë pastrimin në të gjithë pikat kritike të kanalizimit, si dhe përpilimin e një plani për zgjidhjen e problemeve të kanalizimit në katër pika kritike (te rruga 171, te kazerma dhe dy pika në hyrje të qytetit).

Komuna gjithashtu njoftoi se Qeveria dhe Byroja për Ekspertizë Gjyqësore nuk kanë marrë asnjë hap konkret për rastin në fjalë. Për këtë do të kërkojnë nga Qeveria përsëri të veprojë urgjentisht.

Të fundit