Në Universitetin e Tetovës u mbajt ligjërata e hapur me temë: “Planetët jashtë sistemit tonë diellor”, nga Prof. Dr. Mimoza Hafizi nga Republika e Shqipërisë, e cila njëherazi e promovoi edhe romanin e saj shkencor “Pika trëndafili për ne dhe alienët”. Ky aktivitet u organizua nga Fakulteti i Shkencave Matematike – Natyrore i UT-së. Fillimisht të pranishmit i përshëndeti ushtruesi i detyrës dekan i FSHMN-së, Prof. Dr. Florim Idrizi. “Jemi të privilegjuar që përmes këtij manifestimi të njihemi me mjeshtërinë e ndërlidhjes së shkencës dhe artit, që profesoresha Mimoza Hafizi e ka paraqitur në romanin e saj shkencor “Pika trëndafil për ne dhe alienët”. Uroj profesoreshën për të arriturat e deritanishme dhe e falënderoj Rektorin, Prof. Dr Vullnet Ameti, dhe Zyrën për Shkencë për përkrahjen dhe mbështetjen që i japin Fakultetit të Shkencave Matematike – Natyrore “ – deklaroi Prof. Dr. Florim Idrizi. Ushtruesi i detyrës dekan i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Salajdin Salihu, e paraqiti recensionin e tij për librin e profesoreshës Mimoza Hafizi, ku ndër të tjera theksoi: “Fizika ka lidhje të pashkëputur me filozofinë, por edhe me letërsinë, ndonëse ky konstatim shpesh nuk pranohet, ose nuk merret në konsideratë as nga letrarët. Autorja e librit “Pika trëndafili për ne dhe alienët”, për probleme të komplikuara na flet me një gjuhë të thjeshtë dhe të kapshme. Gjërat madhështore qëndrojnë te thjeshtësia. Nuk ka gjë më të komplikuar se sa thjeshtësia. Është libër për shkencëtarin dhe kureshtarin. Lexuesit e këtij libri do të jenë shumë më të pasur dhe shpresoj se autorja në fjalë do të na befasojë edhe në të ardhmen me libra të tillë hibrid”, theksoi, Prof. Dr. Salajdin Salihu.
Ndërkaq, Prof. Dr. Naim Mahmudi nga Katedra e Fizikës, gjatë elaborimit të vështrimit të tij për këtë roman shkencor u shpreh se përmes këtij botimi autorja ka arritur të tërheq vëmendjen e opinionit të gjerë. “Libri shoqërohet me një informacion tejet të gjerë dhe popullarizues për të gjithë dhe kjo frymë ruhet prej fillimi deri në fund. Me këtë botim në formë të një romani shkencor, autorja arriti që njerëzit t’i afrojë kah e vërteta shkencore, me fakte që nuk kanë lidhje me pseudoshkencën dhe besëtytnitë e ndryshme apo teoritë e ndryshme konspirative”- tha, Prof. Dr. Naim Mahmudi. Profesoresha Mimoza Hafizi nuk nguroi të shpjegojë detaje për planetët dhe misterin që ato fshehin, detaje këto që i ka pasqyruar përmes romanit shkencor “Pika trëndafili për ne dhe alienët”. “Jam shumë e emocionuar sepse këtë libër e kam shkruar me shumë dashuri, pikërisht për të komunikuar me publikun, por kryesisht me rininë për ato arritje që ka njerëzimi në shekullin e 21-të, një çështje thelbësore të shkencës, që është, zbulimi i planetëve jashtë sistemit diellor, të quajtur ndryshe ekzoplanete. Kush do ta ketë fatin që të zbulojë se ku është jeta!? Unë kam besim që brezi i juaj do ta arrijë atë ditë, e cila do të jetë një ngjarje shembullore në historinë e njerëzimit”, theksoi autorja e romanit shkencor, Prof. Dr. Mimoza Hafizi.
Promovimin e librit të lartpërmendur e përmbylli përfaqësuesi i Klubit të Astronomëve të Kosovës, Sabit Gashi, i cili porositi që ta ruajmë ambientin dhe ta njohim mjedisin që na rrethon sepse sipas tij, astronomia e promovon edhe aktivizmin qytetar, që do të thotë se ajo është në funksionon të kulturës së njeriut, e në atë kulturë të njeriut hyn edhe përpjekja për ta mbrojtur ambientin. Në fund, të gjithë pjesëmarrësit në këtë aktivitet, patën rastin t’i vrojtojnë trupat qiellorë me teleskopët e vënë në dispozicion nga Klubi i astronomëve të Kosovës. /TV KOHA/