01/05/2024
13.1 C
Tetovo

Të tjera lajme

Rasti “Haraçi” në Maqedoni: Katica Janeva dhe Boki 13 shpallen fajtorë, dënohen me shtatë dhe nëntë vjet burg

Nëntë vjet burg për Bojan Jovanovskin “Boki 13” dhe shtatë vjet burg për ish-prokuroren e PSP-së Katica Janeva. Ky është vendimi i Gjykatës Penale, për të akuzuarit në rastin “Haraçi”.

Gjykatësja tha se pas shqyrtimit të provave, është vërtetuar se Boki 13 dhe Katica Janeva kanë kryer vepra penale dhe shpallen fajtorë. Katica Janeva nuk ishte e pranishme në seancën e sotme për ta dëgjuar aktgjykimin, njofton Telegrafi Maqedoni.

Rrjedha e kësaj lënde shkaktoi interes të madh në publik, shpesh deklaratat e dëshmitarëve, të të akuzuarve ose prokurorisë ishin temë e ditës. Për shkak të interesimit të madh të mediave Gjykata Penale vendosi që aktgjykimi të shpallet në sallën e madhe të Gjykatës së Lartë.

Në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria për Luftë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, thuhet se i akuzuari Bojan Jovanovski, kishte ndikuar ndaj të akuzuarës Katica Janeva, që ajo të sjellë masa më të lehta kundër Jordan Kamçevit, i akuzuar në lëndën “Perandoria”, rast të cilin e filloi Prokuroria Speciale Publike.

Jovanovski dhe Janeva në fjalët e tyre përfundimtare para gjykatës e mohuan fajin dhe thanë se nuk e kanë kryer veprën për të cilën akuzohen.

Gjykimi për lëndën “Haraçi” filloi në nëntor të vitit të kaluar. Aktakuza ishte ngritur kundër tre personave. Në seancën e parë për këtë rast i akuzuari Zoran Milevski – Kiçeec e pranoi fajin dhe në seancën e ardhshme gjyqësore ishte dënuar me tri vite burg./Telegrafi/

Të fundit