15/08/2022
22.5 C
Tetovo

Të tjera lajme

Sot shënohet Dita Botërore e ndërgjegjësimit mbi Autizmin

Sot shënohet Dita Botërore e Vetëdijes për Autizmin dhe një ditë nga muaji që u kushtohet këtyre personave, e cila synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe edukimin lidhur me çrregullimet e spektrit të autizmit dhe përmirësimin e jetës së tyre, njofton Portalb.mk.

Kjo ngjarje shënohet edhe në Maqedoninë e Veriut, përmes vrapit simbolik në Kejin e Vardarit. Ngjarja organizohet nga Shoqata “Sina svetullka(Xixëllonja e kaltër)” dhe “KoRЯunners”.

Shoqata “Sina svetullka” merr pjesë në mënyrë aktive në sensibilizimin dhe nivelin e trajtimit të fëmijëve dhe personave me çrregullime të spektrit autik në vendin tonë. Për atë qëllim, në periudhën vijuese shoqata do të ofrojë konsulta falas dhe mbështetje individuale për familjet dhe fëmijët me autizëm, por edhe arsim falas për të gjithë profesionistët që synojnë të marrin njohuri dhe aftësi për të aplikuar strategji për menaxhim me sfidat e sjelljes së fëmijëve me autizëmnë shkollat e rregullta.

Dita Botërore e Autizmit është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me rezolutën “62/139” në vitin 2007, më tepër si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm.

Kjo ditë është vendosur në 2 Prill dhe është përfshirë në Agjendën e Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara, e cila premton që askush të mos mbetet pas dore.

Rezoluta për Ditën Botërore të Autizmit përmban: (1) vendosjen e 2 prillit si Dita Botërore e Autizmit, (2) pjesëmarrjen e shteteve anëtare të OKB-së, (3) rritjen e ndërgjegjësimit për autizmin në të gjitha nivelet e shoqërisë, (4) shpërndarjen e këtij mesazhi në të gjitha organet e tjera të OKB.

Autizmi është një çrregullim i zhvillimit, i karakterizuar nga dëmtimi i ndërveprimit social dhe i komunikimit, si dhe nga sjellje të kufizuara dhe përsëritëse. Këto shenja në shumicën e rasteve fillojnë përpara se fëmija të bëhet tre vjeç. Megjithëse shumë fëmijë autikë nuk mund të jetojnë të pavarur në moshë të rritur, shumë prej tyre ia dalin me sukses në këtë aspekt. Tashmë është zhvilluar një kulturë, e cila synon që autizmi të konsiderohet si një ndryshim dhe jo çrregullim.

Të fundit